Kryetarja e Dhomave të Specializuar, Ekaterina Trendafilova ka lëshuar paralajmërimin e saj të fundit për Nasim Haradinajn, pasi ky i fundit është paraqitur në intervista për media.
Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se nga Haradinaj kërkohet që tu përmbahet të gjitha kushteve të përcaktuara në vendimin për lirimin e tij.
“Më 13 qershor 2024, kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova lëshoi paralajmërim të fundit për Nasim Haradinajn që t’u përmbahet të gjitha kushteve të përcaktuara në vendimin mbi modifikimin e dënimit (“Vendimi”) të dhjetorit të vitit të kaluar.
Ky paralajmërim vjen pas marrjes së raporteve të shumta nga Administratorja e DHSK-së, me të cilat Kryetarja u informua për kontaktet dhe intervistat e Haradinajt me mediat gjatë disa muajve të fundit, pa kërkuar paraprakisht leje për to, sikurse përcaktohet në Vendim. Gjithashtu, Kryetarja vuri në dukje se Haradinaj u rikujtua në fillim të këtij viti për pasojat e shkeljes së kushteve të Vendimit”, thuhet tutje në komunikatë.
Gjykata Speciale tutje thekson se Trendafilova shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që Haradinajt t’i jepte edhe një paralajmërim i fundit dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. /Telegrafi/