Policia e Durrësit ka parandaluar një vrasje, duke ndaluar autorin e dyshuar. I arrestuari është Alfred Skonja, 29 vjeç.
Shtetasi i ndaluar kishte planifikuar që pas kryerjes së krimit do ta digjte me benzinë automjetin e vjedhur.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve pa autor dhe mbajtjen nën kontroll të kontigjentëve kriminalë me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve, pas një pune hetimore intensive dhe të pandërprerë kanë bërë të mundur parandalimin e kryerjes së një vrasje, duke ndaluar autorin e dyshuar, konkretisht shtetasin Alfred Skonja 29 vjeç, banues në Durrës.
Ndalimi i tij u bë pasi nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se Skonja, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin po punohet për kapjen e tij kishin ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe kishin kryer të gjitha veprimet përgatitore për vrasjen e një shtetasi.
Ndalimi i tij u bë si rezultat i një pune operative të mirëorganizuar, ku Skonja ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe nga Policia, me qëllim për të dokumentuar veprimet e tij të jashtëligjshme.
Shtetasi i ndaluar kishte planifikuar që pas kryerjes së krimit do ta digjte me benzinë automjetin e vjedhur.
Skonja, më datë 26.07.2016, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në Fushë-Krujë kanë vjedhur automjetin tip Volsvagen me targa AA 029 MM, në pronësi të shtetasit R.B. 22 vjeç, banues në fshatin Zheje, Kurbin, ndërsa targat i përkasin mjetit tip Peugeot në pronësi të shtetases R.B. 37 vjeçe, banuese në Durrës, të vjedhura më datë 18.07.2016.
Automjeti i vjedhur është gjetur më datë 24.08.2016, rreth mesditës, pranë lumit Erzen.
U gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• automjeti tip Volsvagen me targa AA 029 MM
• sende dhe mjete të ndryshme(veshje, kapele, kokore, lëndë djegëse benzin…) që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve gjatë kryerjes së aktit kriminal dhe krimit.
Për arsye të hetimit nuk bëhen me dije detaje të mëtejshme.
Skonja është person me precedentë penalë të mëparshëm.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Vjedhja” në bashkëpunim parashikuar në nenin 134, 25 të Kodit Penal. /Tema/