Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, ka thënë se protesta e nesërme e mësimdhënësve ishte paralajmëruar se do të ndodhte nëse nuk do të kishte plotësim të kërkesave pas grevës njëorëshe në institucionet arsimore dhe protestës së fundit.
“Protesta është në vazhdën e veprimeve sindikale që janë ndërmarrë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku merr pjesë edhe SBAShK-u, me vendimin e kryesisë. Qysh para një muaji është vendosur që të kemi grevë njëorëshe, të cilën e kemi realizuar në ditët e mëparshme dhe kemi thënë që edhe nëse kjo grevë nuk do të ketë rezultate, atëherë më 20 maj do të mbajmë një protestë masovike, e cila do të jetë më e madhe se ajo që është mbajtur në fillim të muajit, sepse atëherë kanë qenë të ftuar vetëm kryesitë e shoqatave sindikale derisa nesër janë të ftuar edhe anëtarësia”, tha ai.
SBAShK-u ka njoftuar se nesër nuk do të ketë mësim në të gjitha institucionet arsimore, derisa Ymeri thotë se meqë mësimdhënësit do të jenë në protestë nuk mund të zhvillohej mësimi.
“Ne kemi kërkuar mirëkuptim nga nxënësit, prindërit dhe drejtoritë komunale të arsimit që ditën e nesërme mësimdhënësit do të jenë në protestë dhe jo në shkolla, prandaj nxënësit nuk mund të mbajnë mësim. Këtë e kemi bërë me qëllim që t’i ikim grevës së përgjithshme e cila do të kishte pasoja më të mëdha – ndërprerje të punës shumë më tepër, deri në realizimin e kërkesave. Po i përdorim veprimet e tjera sindikale me qëllim që t’i ikim grevës së përgjithshme”, tha Ymeri për Klan Kosova.
Ai tha se kanë vendosur që protestën ta mbajnë gjatë ditëve të javës kur ka mësim, për shkak se protesta e kaluar që është mbajtur në ditë vikendi nuk ka dhënë rezultate.
“Protesta e kaluar është mbajtur ditën e shtunë dhe e kemi menduar që qeveria ditët e pushimeve nuk i dëgjon kërkesat e punëtorëve. Prandaj edhe kemi vendosur që protesta të jetë në një ditë pune. Derisa protesta e kaluar që është mbajtur ditën e shtunë dhe nuk pat reagim, ftesë për bisedime apo ndonjë hap tjetër për realizimin e kërkesave thamë që ndoshta qeveria nuk i ka dëgjuar kërkesat në ditë vikendi”, tha ai
Ministria e Arsimit në një reagim në Facebook tha se orët e humbura ditën e nesërme do të kompensohen, por për një gjë të tillë nuk është i bindur Sekretari i SBAShK-ut.
Madje, ai thotë se mund të humben edhe më shumë orë.
“Varet nga bisedimet që i zhvillojmë me qeverinë. Kjo nënkupton që nëse do të kemi bisedime dhe do të kemi plotësim të kërkesave mund të bisedojmë për këtë çështje. Nëse nuk ka bisedime dhe plotësim të kërkesave jo që nuk do të zëvendësohet dita e nesërme por do të humbasin edhe ditë të tjera që nga fillimi i qershorit”.
Ndonëse nesër (e premte) nuk do të mbahet mësimi në institucionet arsimore, Ymeri nga SBAShK-u thotë se vendimin për mbajtjen e mësimit ose jo, s’e marrin ata, derisa shton se ata marrim vendime vetëm për veprime sindikale.