Administrata gjyqësore për një muaj mund ta aktivizojë grevën, e cila ishte ndërprerë gati një vit e gjysmë, pasi edhe krahas premtimeve, sërish nuk ka përgjigje pozitive ndaj kërkesave të tyre. Borçe Mirçeski, kryetari i Sindikatës së Punonjësve Gjyqësor tha se durimit të tyre po i vjen fundi.
“Një pjesë e punonjësve nuk mund të durojnë më. Por, ne si udhëheqësi në koordinim me SPOGJ edhe më tej duam t’i shterim të gjitha mundësitë institucionale për zgjidhjen e këtij problemi. Mirëpo, nëse kjo nuk realizohet këtë periudhë, nuk do të lejojmë që këto çështje edhe më tej të mbeten të pazgjidhura. Ne do të presim të paktën edhe një muaj dhe më pas do t’i parashtrojmë kërkesat tona ndryshe”, tha Borçe Mirçeski, kryetar i SPOGJ.
Për grevën disamujore në vitin 2016, më shumë se 2000 punonjësve gjyqësorë për dy muaj u janë hequr 40% të të ardhurave personale. Akuzojnë se kjo është bërë pa e respektuar procedurën përkatëse, pavarësisht se neni 77 i Ligjit për shërbim gjyqësor parasheh 60% të pagës për ata që bëjnë grevë.
“Nuk do t’ju tregojnë nëse çështjet që ishin urgjente në grevë janë realizuar dhe a u kanë hequr të holla të gjithë atyre që kanë bërë grevë apo kanë bërë qasje selektive gjatë heqjes së parave. Kryetarët e gjykatave një pjese të punonjësve nuk u kanë hequr të hollat pasi ata kanë qenë të privilegjuar nga ana e tyre. Në rastet tona kishte raste ku ndonjëri ka qenë në pushim mjekësor apo pushim vjetor, por se nga paga i është hequr shuma e njëjtë”, theksoi Borçe Mirçeski, kryetar i SPOGJ.
Deri më tani kanë pasur bisedime me ministren e drejtësisë e cila ka premtuar se Ligji për shërbim gjyqësor do të pësojë ndryshime për pak kohë dhe se të gjitha vërejtjet e tyre do të zbatohen në tekstin e Ligjit. Janë zhvilluar bisedimet edhe për kthimin e parave që u janë hequr punonjësve. Nëse nuk gjejnë zgjidhje të përbashkët, paralajmërojnë padi ndaj shtetit para gjykatave vendore. Njëra prej kërkesave të tyre është që administrata gjyqësore të marrë rritje juridiko-ligjore të kompensimeve për paga deri në 35%./Alsat-M/