Ekspertët i janë bashkuar organizatave ndërkombëtare duke i bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të jetë e kujdesshme ndaj rritjes së nivelit të Borxhit Publik.
Pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe niveleve historike të shpenzimeve, përfshirë dhjetëra marrëveshje me Partneritet Publik-Privat (PPP), Borxhi Publik i vendit vlerësohet të ketë arritur nivelet nga 80.1 për qind në 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas EurActiv, qeveria shqiptare nuk i përfshin zyrtarisht kontratat e PPP-ve në raportime, që do të thotë se shifrat reale të borxhit janë shumë më të larta se sa shifrat zyrtare.
“Qeveria duhet të kontrollojë me grusht të hekurt çdo shpenzim publik dhe nga ana tjetër të përmirësojë klimën e biznesit që çon në zgjerimin e bazës tatimore dhe për rrjedhojë në rritjen e të ardhurave buxhetore në mënyre që Shqipëria të jetë në një pozicion më të mirë ekonomik brenda tre deri në pesë vjet”, tha ekonomisti Zef Preci.
Ekonomistët i kanë kërkuar Qeverisë që të jetë e kujdesshme me shpenzimet publike për të shmangur një situatë krize. Qeveria aktuale premtoi uljen e borxhit publik në 60 për qind gjatë katër viteve të ardhshme, por kjo nuk duket e mundshme.
“Për sa kohë që qeveria nuk respekton kriterin minimal që borxhi i një viti të jetë më i ulët se viti i kaluar, borxhi nuk do të ulet. Përderisa ndodh e kundërta, ky objektiv nuk ka se si të realizohet”, ka shtuar ai.
Qeveria ka rritur borxhin publik me rreth 2 miliardë euro në dy vitet e fundit. Pjesa më e madhe e tij u përdor për financimin e projekteve të lidhura me fatkeqësitë natyrore.
Qeveria autorizoi gjithashtu rritjen e borxhit për të financuar disa projekte afatgjata, si ndërtimi i Unazës së Re të Tiranës, Teatrit Kombëtar dhe tunelit të Llogarasë. Në të njëjtën kohë, nevojiten fonde për rimëkëmbjen nga pandemia dhe tërmeti. Zgjerimi i borxhit është bërë nëpërmjet një akti normativ, duke thyer një rregull fiskal të përcaktuar në Ligjin e Buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se rritja ekonomike dhe pagat. Çmimet e shtëpive janë rritur gjithashtu me më shumë se 40 për qind në katër vitet e fundit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të fundit për Shqipërinë në dhjetor të vitit të kaluar, shprehu shqetësimin për rreziqet fiskale në rritje të vendit dhe mungesën e të dhënave të sakta për projektet e PPP-ve. Vendimet e arbitrazhit, skema e re e garancisë për sektorin privat dhe mbështetja për kompanitë e energjisë shihen gjithashtu si rreziqe të shtuara që rrisin detyrimet e pa raportuara.
Javën e kaluar, presidenti Ilir Meta paralajmëroi qeverinë se situata rrezikon të kthehet në “krizë serioze”.
Meta i bëri thirrje Ministrisë së Financave që të publikojë urgjentisht nivelin aktual të Borxhit Publik, përfshirë angazhimet e fshehura financiare që rrjedhin nga PPP-të dhe marrëveshjet e ngjashme. /Telegrafi/