Në në rrjete sociale dhe media ka qarkulluar sot një njoftim, që paralajmëron protesta para pallatit të Drejtësisë të mërkurën, me thirrjen për lirimin e ish-Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimit, që u dënua për krime lufte.
Sipas këtij njoftimi do të kërkohet drejtësia për çlirimtarët dhe në këtë rast lirimi i Selimit, që u dënua me 8 vjet burg për krime lufte.
Protesta u paralajmërua për orën 12:00 të mërkurën para Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.
“Ju njoftojmë se me datën 19.09.2018 dite e mërkurë nga ora 12:00, do të mbahet Protestë Paqësore në Prishtinë, para Pallatit te Drejtësisë duke kërkuar Lirimin e menjëhershëm nga Burgu për Çlirimtaret tonë Komandantin e përgjithshëm të UÇK-së Gjeneral Sylejman Selimin, kolonel Jahir Demaku dhe gjithë bashkëluftëtarët e tyre qe po mbahen padrejtësisht në burgjet e Kosovës pa kurrfarë Baze Ligjore”, thuhet në njoftim.
Protestën e organizojnë një grup i njerëzve që thonë se i mbrojnë çlirimtarët.
“Këshilli organizativ për të Drejta të Çlirimtarëve – Motoja e protestës Duam Drejtësi për Çlirimtarët!”, thuhet më tej në njoftim.
Selimi bashkë edhe me disa ish-luftëtarë tjerë të UÇK-së, ishin dënuar në një proces të gjatë i njohur si “Drenica 2”.