Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve(QEDR) ka paralajmëruar padi kolektive kundër Drejtorisë për zbatimin e dënimeve pranë Ministrisë së Drejtësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo padi ka të bëjë me vdekjen e katër të burgosurve romë në burgun e Idrizovës. Sipas QEDR-së është e dyshimtë vdekja e 39 vjeçarit, Bekim Demir, disa ditë para se të lirohet nga burgu, ku ka vuajtur dënimin prej tre vitesh, për vjedhje.
Familja Demir ka deklaruar se ka folur përmes telefonit me Bekimin ditën kur ai ka ndërruar jetë. Bekimi u ka thënë se mjeku i ka dhënë dy injeksione që e kanë bërë të ndjehet i paralizuar, kurse paraprakisht ka patur probleme me frymëmarrje.
Ai është ankuar edhe për maltretime nga ana e rojtarëve dhe mjekëve të burgut. Bekim Demir është ankuar edhe për dhimbje në bark dhe në këmbë, por që nuk i është ofruar trajtimi i duhur./Telegrafi/