Site icon Telegrafi

Paralajmërohet grevë nga gjykatësit porotë në Maqedoni

Gjykatësit porotë kërcënuan me grevë. Kërkojnë rritje të kompensimit që e marrin për seancë gjyqësore, nga 250 në 500 den. Këshilli gjyqësor sot e shqyrtoi këtë problem që po zgjat me vite, si pasojë e të cilit është ulur edhe numri i gjykatësve porotë. Por, një pjesë e anëtarëve të këshillit, e hapën edhe dilemën rreth nevojës së ekzistimit të gjykatësve porotë.

“Konsideroj se ka ardhur momenti që një herë e mirë të vendosim: a ka nevojë që në gjyqësorin tonë të ketë gjykatës porotë, në kuptimin se bëhet fjalë për element laik, gjegjësisht për mosnjohje të materies bazë të procedurës gjyqësore”, tha Vllade Bogdanovski, anëtar i këshillit gjyqësor të RM-së.

“Ata më paralajmëruan se do të hyjnë në grevë nëse nuk paguhet kompensimi prej 500 denarëve. Problemi qëndron tek pagesa. Sa u takon kushteve dhe kritereve, tani për tani nuk është momenti për të biseduar për këto gjëra”, tha Beqir Shaini, anëtar i këshillit gjyqësor të RM-së..

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit konsiderojnë se kriteret për përzgjedhje të gjykatësve porotë janë tejet të larta.

 

Kryetari i Këshillit gjyqësor Zoran Karaxhovski, rreth problemit të kompensimit të gjykatësve porotë do të kërkojë takim urgjent me ministrat për drejtësi dhe financa, ndërsa bartjen e të paraburgosurve do të kërkojë ta zgjidhë qeveria.

“Tani do të kërkojmë takim të drejtpërdrejtë dhe këtë problem, qeveria e Maqedonisë duhet përfundimisht ta tejkalojë, nëse problemi qëndron tek buxheti, tek organizimi i shërbimeve të sigurisë, veturave etj. Ne si Këshill gjyqësor, këtë problem nuk mund ta zgjidhim vetë”, u shpreh Zoran Karaxhovski, Kryetar i këshillit gjyqësor të RM-së.

Problemet me gjykatësit porotë u thelluan me ndryshimin e kushteve për përzgjedhje të tyre. Më herët, gjykatës porotë mund të ishin edhe pensionistët me arsim të mesëm, por tani, kandidatët, përpos që nuk mund të jenë pensionistë, duhet të kenë kryer edhe arsim të lartë në fushën e drejtësisë./Telegrafi/

Exit mobile version