Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi të martën se është shqetësues paralajmërimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës se orët e humbura nga greva në arsim nuk do të zëvendësohen.
Në një konferencë për media pas takimit të Qeverisë me Këshillin Grevist, Nagavci tha se “askush nuk mund t’i mbyllë shkollat”.
“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pambajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet. Përtej asaj që janë zgjedhur format më ekstreme të shpalljes së pakënaqësisë ose kërkesës për një vlerë, e cila faktikisht tashmë ka të bëjë me 30 euro, nuk ka të bëjë me as 100 euro”.
“Sepse 50 euro janë ofruar nga qeveria, kërkesa ka qenë 100 euro, të tatueshme i bie që 80 euro do të ishin në kontot e mësimdhënësve. Të përmendet me kaq lehtësi që asnjë orë nuk do të zëvendësohet, kjo veç e vështirëson më shumë situatën. Natyrisht, kompetencat dhe përgjegjësia për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit”, deklaroi ajo.
Tutje, Nagavci bëri të ditur se në Projektligjin e Pagave , i cili pritet të dalë në dëgjim publik këtë javë, i trajton më mirë mësimdhënësit se sa ligji i kaluar i cili kishte marrë miratimin e SBASHK-ut. /Telegrafi/