Site icon Telegrafi

Paralajmërimi i keq për drejtësinë e Kosovës

Vjedhjet që kanë ndodh kohëve të fundit në Policinë e Kosovës – në një institucion që në të gjitha anketimet ka dalë si institucion ma i besueshëm brenda 12 viteve – ka filluar të bie besueshmëria te qytetarët.

Sipas shumë ekspertëve dhe analistëve që kanë dhënë mendimet dhe versionet të tyre, vjedhjet në drejtorin e përgjithshme të PK-së nuk kanë ndodhur “rastësisht ”. Ato kanë qenë vjedhje të cilat në shikim të parë e kanë pasur si “obligim” të duken si “skenë e krimit”, por në aspektin dytësor e kanë plotësuar misionin e nëntokës. Sipas analizave profesionale, vjedhja nuk ka ndodhur brenda një nate apo një aksioni, por kanë qenë aksione të njëpasnjëshme. Kështu është menduar që në evidencën e tyre mos të shfaqen parregullsi dhe mbasi është kryer misioni i nëntokës është inskenuar vjedhja sensacionale e cila ka rezultuar me bum mediatik (në aspektin hetimor asgjë konkrete nuk është bërë).

Nëse shkoni dhe e vizitoni Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, mund të shihni se është punuar në sigurimin e hyrjeve dhe daljeve me kamera të ndryshme, deri tek ato te cilat në shikim të parë janë të padukshme. Por, lind pyetja pse këto instalime nuk janë bërë para vjedhjes në dhomën e dëshmive. Nëse flasim për atë natë, aty thuhet se ka pas defekte në sistemin e kamerave (çdo kush që merret me sistemin e sigurisë e di që kamerat edhe në rast se nuk kanë energji elektrike, punojnë me një bateri të instaluar që ka kapacitet deri në 6 orë). Vjedhja e “dhomës së dëshmisë” u bë në katin më të lartë të ndërtesës. Për të shkuar deri te ajo zyrë duhet të kalosh së paku katër roje të sigurimit.

Më interesante janë “dosjet sekrete” të cilat me vite të tëra janë grumbulluar e që konsiderohen si të zhdukura. Prandaj, është mirë që pikërisht tek “dosje sekrete” të fillojnë hetimet organet përgjegjëse e jo në kërkim të arit apo bankënotave, sepse ato kanë qenë si kamuflazh për t’i orientuar hetimet në drejtimet e gabuar.

Në sistemin Policor të Kosovës kemi njerëz të cilët kanë filluar ta keqpërdorin pozitën e tyre në stil të Al Capones, ku përmes shantazhit, korrupsionit, kanë krijuar një sistem brenda sistemit te PK-se që për të mbajtur në funksion këtë organogram të se keqes i shfrytëzojnë pozitat zyrtare policore.

Për ta pasur një polici bashkëkohore demokratike, në funksion të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe pronës, duhet të riformatizohet i tërë ky sistem jofunksional e amator. Kjo do të bëhej në këto forma:

1. Të rifillohet me rigradimet (të gjitha gradat e fituara deri sot të rikonfigurohen nga një bord ekspertësh)

2. Të formohet një komision i veçantë që të vlerësojë suksesin apo mossuksesin e çdo pjesëtari të PK-së.

3. Të largohen pjesëtarët e PK-së për të cilët ka bazë për dyshimet për involvimet e tyre në pjesën e sistemit të përgjithshëm politik ( ku raportimet për punën e kryer nuk e bëjnë në mënyrë hierarkike te institucionit, por të preferencës politike ), apo janë lidhura me grupet kriminale.

Shpresoj se drejtori i PK-se do të merret më këtë çështje. Sepse, ka ardhur koha që njerëzit e duhur të jenë në vend të duhur, e jo si ka qenë deri më sot.

(Autori është kriminalist, njohës i çështjeve të sigurisë)

 

Exit mobile version