Site icon Telegrafi

Paralajmërimi dramatik i Gjermanisë: Evropa duhet të armatoset, kemi më pak se 10 vjet

Me aleatin evropian të sigurisë, Shtetet e Bashkuara që po e zhvendosin fokusin e tyre në zonën Indo-Paqësore, Evropa duhet të sigurojë shpejt mbrojtje më të mirë pasi kërcënimet e reja ushtarake mund të shfaqen deri në fund të dekadës, tha ministri gjerman i Mbrojtjes. Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e armëve me qëllim të pushtimit të Ukrainës dhe kërcënon shtetet baltike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, tha Boris Pistorius.

Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të zvogëlojnë angazhimin e tyre ushtarak në Evropë ndërsa po koncentrohet më shumë në Indo-Paqësor.

“Ne evropianët duhet të jemi më të angazhuar për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë”, tha ministri, duke vënë në dukje se rajonit do t’i duhet kohë për të rritur prodhimin e armëve, raporton reuters.

“Ne kemi 5-8 vjet kohë për të kapur hapin – në aspektin e forcave të armatosura, industrisë dhe shoqërisë”, tha ai. Evropa e ka të qartë se mund t’i duhet gjithashtu të rrit ndihmën për Ukrainën nëse Uashingtoni nuk arrin të bie dakord për financimin e ri, shtoi ai.

Zgjedhja e një qeverie të re polake që është më pro-evropiane tani duhet të lejojë trekëndëshin e Weimarit – Berlin, Paris dhe Varshavë – të zhvillojë më tej bashkëpunimin ushtarak, shtoi ai.

“Ne duhet të kuptojmë se si të pozicionohemi më mirë në krahun lindor bazuar në planet e mbrojtjes të NATO-s”, tha ai, duke vënë në dukje se ai dëshiron të udhëtojë në Poloni sa më shpejt të jetë e mundur vitin e ardhshëm.

Ndryshe, Pistorius tha se për momentin ai nuk parashikonte që ushtria gjermane të përsëriste misione aq të mëdha sa ato të kryera në Afganistan dhe Mali. /Telegrafi/

Exit mobile version