Ministrja për Arsim Shkencë Teknologji (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka mbajtur sot një konferencë për media, ndërsa ka folur edhe për paralajmërimet për grevë, duke thënë se mbajta e grevës shkel të drejtën e nxënësve për arsim.
Ajo në këtë konferencë për media duke folur për fillimin e vitit shkollor, tha se ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore.
“Mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme…”, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit, duke shtuar se kjo dëmton edhe të ardhmen e vendit.
Ajo tha se çështja e grevës po përdoret më shumë si presion, ndërkaq tha se askush nuk duhet t’i instrumentalizojë fëmijët dhe se viti shkollor duhet të fillojë pa vonesa.
Nagavci po ashtu tha se sivjet për herë të parë janë ndarë mbi një milion euro për rreth 300 mësimdhënës, të cilët kanë probleme shëndetësore.
“Sivjet për herë të parë kemi ndarë buxhetin për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, mbi një milion euro janë parapa për rreth 300 mësimdhënësve me sëmundje kronike dhe probleme të rënda shëndetësore të cilët janë të punësuar në institucionet tona edukativo-arsimore. Duke qenë kështu jo vetëm në mbështetje të mësimdhënësve, por edhe për të siguruar që mos të pësojnë nxënësit për shkak se mësimdhënësit ndonëse kanë pas mjaft raste sëmundjeve të rënda janë detyruar të shkojnë në punë për të përfituar prej pagës dhe mos të humbin vendin e punës”, ka thënë Nagavci.
Ministrja Nagavci ka folur po ashtu edhe për Projektligjin e ri të Pagave.
Ajo tha se Projektligji i kaluar i Pagave, për të cilin SBASHK-u ishte dakorduar kishte rezultuar që mësimdhënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë të mbesin me një koeficiente më të ultë.
Nagavci tha se janë të interesuar që të sigurohen që të gjithë mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.
“Projektligji i kaluar i pagave, për të cilën SBASHK-u ishte dakorduar në atë kohë me ish-qeverinë e PAN-it, kishte rezultuar që mësimdhënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë të mbesin me një koeficiente më të ultë. Ne jemi interesuar që jo vetëm të adresojmë të gjitha kërkesat që i kemi mbështetur dhe në atë kohë, por të sigurohemi që të gjithë mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme ashtu sikurse të shtyjmë përpara përmirësimin e performancës duke përfshirë dhe shtesën për ata që do të jenë më të suksesshëm në punën e tyre”, ka thënë ajo.
Tutje Nagavci u shpreh se në projektligjin e ri nuk do të ketë ndarje të tilla, në mes të mësuesve klasore nga klasa e parë deri në të pestën, me ata të klasës së gjashtë në të nëntën.
“E po ashtu i kemi adresuar në mënyrë parimore dhe kategoritë tjera të cilat kanë qenë të diskriminuara jo vetëm me ligjet e kaluara të pagave. Të gjithë jemi dëshmitare që kërkesa e kamotshme e SBASHK-ut ka qenë Ligji i Pagave dhe që të dihet se cili është pozicionimi i mësimdhënësve. Për këtë arsye dhe në takimet e vazhdueshme që i kemi pas me SBASHK-un që nga marrja e mandatit e kemi bërë me dije që do të adresojmë në mënyrë dinjitoze, pozicionimin e mësimdhënësve të të gjitha niveleve.
Tashmë ligji është në diskutim paraprak dhe të gjitha kategoritë e punëtoreve të arsimit janë trajtuar me një kujdes të veçantë. Është e vërtetë se pas publikimit të Ligjit të Ri të Pagave, SBASHK-u nuk e përmendi çështjen e Ligji të Pagave por doli me kërkesën tjetër duke kërkuar nga 100 euro shtesë. E vetëdijshme që ka nevojë për kushte më të mira për secilin nga qytetarët”, ka thënë Nagavci.
Ajo po ashtu ngriti çështjen pse SBASHK-u ka kërkuar 100 euro.
“Pyetje ime për SBASHK-un ka qenë pse 100 euro, pse jo 300 ose 500 ose 80 euro? Pse vetëm për punëtorët e arsimit, dhe jo për punëtorët e tjerë? Ose pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë, si për edukatorët të cilët punojnë tetë orë dhe kanë një pagë më të vogël, si për ata që punojnë një kohë më të shkurtër dhe kanë një pagë më të madhe”, ka thënë ndër të tjera Nagavci. /Telegrafi/