Telegrafi

Paralajmërime të ashpra në drejtim të Iranit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në fjalimin e saj para Asamblesë së Përgjithshme i ka dërguar Iranit një paralajmërim serioz. Para Asamblesë së përgjithëshme të OKB-së, Merkel tha se Gjermania do të angazhohet për sanksione më të ashpra, në qoftë se Teherani zyrtar nuk heqë dorë nga programi atomik.

Kancelarja ishte e mendimit se një Iran me armë atomike do të paraqiste rrezik për Izraelin, për rajonin dhe tërë botën. Ajo theksoi se Gjermania para Izraelit ka përgjegjësi historike.

Njëherazi Merkel sërish kërkoi prej bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet më shumë për ruajtjen e klimës, duke lëshuar sinjale në drejtim të SHBA-ve. Sa i përket reformës së OKB-së, kancelarja tha se Gjermania është e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi në kuadër të Këshillit të Sigurimit.

Merkel: "Me përbërjen e tanishme Këshilli i Sigurimit nuk e pasqyron botën e sotme. Prandaj janë të domosdoshme ndryshimet. Vitet e kaluara Gjermania është angazhuar fuqishëm në debatet për reforma. Gjermania është e gatshme të marrë një vend të përhershëm në OKB dhe të marrë më shumë përgjegjësi", tha Merkel.

Presidenti amerikan George Bush u tregua i hapur për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit, por si kandidat me shanse të mira ai përmendi vetëm Japoninë. Kancelarja Merkel foli gjithashtu për herë të parë para Asamblesë së Përgjithshme. Kryeministri i fundit gjerman që ka folur para kësaj instance ishte Gerhard Schröder-i katër vjet më parë. Përpjekjet për reformë në Kombet e Bashkuara përbënin temë edhe atëherë.

Debati i përgjithshëm në të cilin oratorja e fundit ishte Angela Merkel-i, ishte më interesant se kurrë më parë. Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun nuk filloi me fjalimin standard të shpërndarë paraprakisht, por në mënyrë të pazakontë për të. /Deutsche Welle/