Disa nga transportuesit privatë në transportin publik të qytetit në Shkup janë në kërkim të financimit në mënyrë që të vazhdojnë t’u shërbejnë qytetarëve me automjetet e tyre.
Deri të premten, si paralajmërim, ata do të vozisin vetëm deri në orën 10:00 dhe më pas do të vendosin se si do ta shprehin revoltën, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç thonë ata, që nga janari i këtij viti, kur kanë marrë vetëm një pjesë të mjeteve, nuk janë paguar për shërbimin që ofrojnë.
Disa prej tyre kanë pasur takim me drejtorin e NTP Shkup, i cili tani është shkarkuar dhe i cili u ka premtuar se do t’u shlyhen gradualisht detyrimet e prapambetura, si dhe se deri në shtator do ta shlyejë plotësisht borxhin. Për momentin nuk kanë asnjë njoftim se çfarë do të ndodh pas shkarkimit të tij.
“Deri të premten do të vozisim vetëm deri në 10 të mëngjesit dhe pastaj do të vendosim se çfarë të bëjmë”, tha Oliver Petrushevski, vozitës.
As qyteti i Shkupit e as Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk u përgjigjen në pyetjen se kur do të shlyhet borxhi ndaj vozitësve privatë dhe se çfarë do të ndërmerret për zgjidhjen e këtij problemi.