Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës po parakalojnë nëpër sheshin “Nëna Terezë” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.
Parakalimin e pjesëtarëve të FSK-së po e përcjellin qytetarë të shumtë, krerët e shtetit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentari i Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferri, drejtues institucionesh të vendit, deputetë, përfaqësues të misioneve diplomatike nga shtete të ndryshme, ambasadorë dhe mysafirë të tjerë.
Aktivitetet për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kanë filluar me mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, për të vazhduar me ngritjen solemne të flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë.
Më pastaj, drejtuesit e shtetit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, kanë vazhduar me homazhe te shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin Memorial të Familjes Jashari në Prekaz.
Ndërsa, aktivitetet kanë vazhduar me seancën solemne të Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/