Site icon Telegrafi

“Parajsa” e shtëpive farmaceutike

Shkrirja mes Pfizer dhe Allergan për 160 miliardë dollarë është ndër ato skema të ashtuquajtura invertimi i taksave.

Pra, një shoqëri amerikane blen një të ngjashme europiane, shpeshherë me vlerë tregu më të vogël, për t`u zhvendosur në një vend ku barra fiskale është më e ulët. Ky është edhe rasti i Pfizer, kolosit farmaceutik global, që me blerjen e Allergan do të zhvendoset pikërisht në Irlandë. Pavarësisht se kjo e fundit i ka mbyllur dyert kompanive që shfrytëzonin lehtësitë fiskale për të paguar më pak se 12.5 për qind për taksën koorporative, tashmë duket se ka mundësi të reja.

Në të njëjtën kohë, qeveria e vendit ka propozuar vendosjen e një takse mbi fitimin në 6.25 për qind për ato kompani që shesin pronësi intelektuale, siç është rasti i Pfizer. Barnat që do të prodhojë kompania do të jenë të brevetuara në Irlandë, e për këtë arsye do të gëzojë lehtësirat fiskale. Vendimi i qeverisë irlandeze do të sjellë përfitime vetëm për kompani të këtij lloji, duke përjashtuar gjigantët e teknologjisë. Irlanda shumë shpejt mund të kthehet në një parajsë fiskale për shtëpitë farmaceutike.

Ekspertët shprehen se Irlanda nuk po bën gjë tjetër veçse po shfrytëzon konkurrueshmërinë fiskale që ofron. Me një taksë mbi fitim në 6.25 për qind për produktet e brevetuara në vend, Irlanda bëhet më tërheqëse se sa vendet e tjera për këto lloj kompanish. Belgjika dhe Holanda e kanë të fiksuar këtë taksë në 10 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version