Paradoksiszmi si vlerë antagoniste në vete ngërthen komponentë të shumëfishtë të njësive të veçanta në një sistem, dukuri apo tërësi popullore. Por kjo vlen vetëm te njësitë e veçanta, vetëm për një dukuri të veçantë, vetëm për një moment të caktuar, vetëm për një person-individ dhe kurrsesi nuk mund të imolantohet si vlerë e mirëfilltë në një tërësi zhvillimore, aq më pak mbi një popull. Por si duket kjo nuk vlen edhe për partitë tona, si pjesë të veçanta apo përbërëse të tërësisë natyrore të popullit shqiptar në FYROM. Respektivisht, paradoksizmi që mbizotëron nëpër partitë shqiptare në FYROM, bile edhe të atyre që përgatiten për tu implikuar në këtë ngërç politik me sajesa gjoja të reja politike, edhe më tepër do të legjitimoje politikën unitare të këtij fantom shteti, që çdo ditë e me tepër po segregon dhe vret pasardhësit e ilirëve në mënyrë mjaftë të hapur dhe të turpshme, e kjo, do të nxjerrë ne pah tre të vërteta.
E para është se shqiptarët vërtetë kanë problem në klikën e tyre rreth kuptimit të qasjes politike, gjegjësisht artikulimit racional të kërkesave kombëtare në nivel të politikes bashkëkohore dhe nevojave reale për mbijetesë.
E dyta është se nëse është e vërtet, e sigurisht që është, se edhe partia e re shqiptare që po përgatitet të dalë në skenën e mejdanit politik këtu në FYROM, do të dalë me një hibrid platformë të kombinuar në mes kërkesave të viteve 1994 -1997, që në asnjë pikë të vetme të saj, lëre që nuk cenon unitarinë vrastare të FYROM-it, por as që do të korrespondoj me kërkesat reale të popullit të vet, ashtu si edhe partia në pushtet ,që do të thotë se që në fiilim do të jetë e destinuar të dështojë qoftë ajo edhe pas 4 vitesh funksionim , që nga njëra anë mundet të bëjë më keq, se më mire jo. Ngase ky popull i zhgënjyer disa herë, me siguri do të sakrifikojë edhe kësaj here, mirëpo ata të cilët do të udhëheqin këtë subjekt duhet ta dinë se me këtë blihet kohë në të mirë të qeverive unitare sllavo-maqedonase e në dëm të shqiptarëve, dhe do të kenë përgjegjësi historike për këtë joshje të shqiptarëve, me ato kërkesa që janë në kundërshtim me atë se çka ky popull realisht pret nga subjekti i ri..!?
Dhe e treta, është se nëse dy të mësipërmet na dalin si të sakta, do të na del puna se lista e KODOSHËVE do të duhet zgjatur edhe më shumë se kaq, e pastaj duhet te gjithë të synojmë parlamentin sllavo-maqedonas që nëpërmjet komisioneve dhe deklaratave me shumicë votash të deputetëve të na amnistojnë, gjegjësisht të na shpërlajnë nga mëkatet, ashtu siç e bëjnë këta të fundit!
Po paradoksizmi politik i subjekteve politke shqiptare nuk mbaron me kaq, ngase këta përveç që janë tepër paradoksal, kanë probleme edhe me ndjekjen e momenteve politike, që qeveritë sllavo-maqedonase ua servojnë për çdo ditë dhe këta nga hutia kohore në vend që të ulen dhe të mendojnë racionalist, nga pamundësia kohore e ndjekjes të procesit te derdhjes së parave dhe dosjeve nga pushteti, mendojnë dhe veprojnë paradoksalisht.
1. Realizimi i projektit mega-nacionalist Shkupi 2014, me para edhe të shqiptarëve dhe me amin të faktorit politik shqiptar… Asnjë parti nuk e kundërshtoi këtë, por tërthorazi e legjitimuan edhe më shumë, bile këta as që duan ta dinë për burimet e të hyrave financiare të këtij investimi, se këta kanë punë më të mëdha, merren me kesh!
2. Mbjellja e kryqeve vend e pavend dhe ndërtimi i kishave dhe objekteve tjera sllavo-maqedonase, tash merr formë edhe më të bukur, ku përveç kryeministrit Nikolla Kasapit dhe priftit ortodoks, qirinjtë në emër të integrimit i ndezin dhe i përurojnë edhe ministrat shqiptarë!
3. Vrasja e Harun Aliut dhe shokëve të tij, qëllimisht lihet pas dore ngase në vrasjen e tij ka të implikuar edhe persona apo më mire me thënë zyrtarë partiak, kjo është njëra anë e kësaj ngjarje. Ana tjetër është se shqiptarët duhet ta kenë të qartë se Harun Aliu me shokë kishte marrë mbi vete një mision sa patriotik aq edhe hyjnor, qëllimi i tij ishte që nëpërmjet një kryengritje të re shqiptarët përfundimisht të çlirohen nga thundra e okupatorit dhe kjo dikujt nuk i pëlqeu!
4. Shqiptarëve të FYROM-it, sa për përkujtim që nga viti 1987 e këndejmi, gjithnjë nëpërmjet çfarëdo akademiku të asaj akademie të çoroditur i imponohej bile edhe më dhunë mësimi në gjuhën sllave, bile edhe nëpërmjet metodave të të ashtuquajturave “paralele të përziera”. Por, për çudi tash ne pas njëzet vitesh hezitim, refuzim, burgosjesh e maltretimesh në lidhje me këtë çështje në emër të një far integrimi apo “asimilimi modern “, e përtypëm vetëm për tu bërë më katolik se papa!
5. Gjithkund akademitë e vendeve të ndryshme janë institucione relevante për një shtet, dhe një popull, vetëm për partitë ky institucion është i parëndësishëm edhe pse strategjitë afatgjate shpeshherë edhe të qeverive vijnë nga ky institucion. Kjo sidomos tek partitë tona nuk paraqet problem, pasi kjo akademi mundohet të na nxijë e të na bëjë ardhacak e magjup. Kryesore për partitë tona Skënderbeun se lëviz dot as topi nga sheshi I “ILINDENIT”. Sa për freskim, Skënderbeun se lëviz topi as nga sheshet e qyteteve më të bukura të shteteve të Evropës siç janë Austria e Italia, mirëpo e rëndësisë së veçantë na qenka ky i ILINDENIT, (na garantojnë Qeveria e BDI –ja )!
6. Numëro veten, cirkusijada e fundit e partive tona, që për nga stili I të vepruarit në favor të këtij shteti e pushteti vrastar s’do koment, paradoks mbi paradoks! Të nderuara motra e vëllezër të gjakut tim, mos u mashtroni dhe mos iu frikësohuni politikës së përqindjeve statistikore nëpërmjet të së cilës partitë tona mundohen të bëjnë pazare në kurriz të popullit që ua ka dhënë besimin. Që nga viti 2002 partitë shqiptare duheshe ta kishin përdorur veton si te drejtë e garantuar me ligj për çështje që kishin të bëjnë me kërkesat tona aq më tepër për gjuhën, flamurin, decentralizimin, e sidomos për statistikën, të punësuarit në entin shtetëror të statistikës, etj,. Marrëveshja e Ohrit ishte vetëm një pikënisje që gjërat te ecin para, por falë “angazhimit të partive tona” dhe dijes së tyre kjo marrëveshje u nis nga e prapa dhe rëndësi kanë marrëveshjet e koalicionit e jo ajo e Ohrit, prandaj kjo u zhbë dhe ne kemi nevojë për marrëveshje tjetër në nivel territorial dhe kombëtar. Dhe si rezultat i këtij pazarllëku me interes të kombit ne stagnojmë në vend, përderisa të tjerët ecin para.
Tash pas 10 vitesh, në vend që ne të merreshim me ndërtimin dhe krijimin e institucioneve tona, ne duhet të merremi me gjëra tragjiko-komike, tash ne të gjithë së bashku duhet tu bëjmë një nder partive tona në dëm tonin e në favor të shtetit, respektivisht ne të gjithë po u dashka t’i fokusohemi një problemi mjaftë madhor, të ruajmë përqindjen tonë 25.17% ,se puna do të na shkoj për huq. A ka injorancë dhe paradoks më të madh se kjo!? Ky është profili i partive tona shqiptare ne sllavo-maqedoni. A ia vlen tu besohet këtyre? Qarte është se këta po humben ngase nuk jetohet me përralla, por me punë. Këto janë paradokset tona kombëtare falë partive tona solidare, ne kemi turp dhe frikë të themi çka duam!
Andaj sa ma shpejtë që partitë tona kërkojnë zgjidhje të re, të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në FYROM në nivel të pavarësimit të tyre, aq më shpejtë këto parti do të mbijetojnë fazën e entropisë së tyre, ndërsa populli shqiptar së paku do të ngritët në nivel të mbijetesës. Sepse, se me kësisoj politikash aktuale shqiptarëve në FYROM u vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e tyre biologjike. Vetëm koncepti i vetëvendosjes së popullit, federalizmi apo bashkimi me shtetin amë si qasje shumë serioze politike, për momentin do të mund ta zgjidhte fatin e ngulfatur të kësaj pjese të kombi. Çdo gjë tjetër jo vetëm që heshturazi do refuzohet nga populli dhe politika racionale, por ajo në mënyrë të egër pas një kohe të shkurtër edhe do të sulmohet nga e njëjta, sidomos kur këta të fundit do ta hetojnë se edhe këta na qenkan si ata të parët “kodosh ose hajdut”.
(Autori është koordinator për çështje politike në LDSH)