Site icon Telegrafi

Paradokset e Brukselit!

Në Bruksel, politikanët e Shkupit bisedojnë për problemet që i kanë maqedonët në mes veti. Për ta bërë më tragjikomike këtë maskaradë bisedimesh, aty ndodhen edhe dy liderë shqiptarë. Edhe ata janë shumë të interesuar që Gruevski dhe Zaevi të pajtohen përfundimisht, sepse kënaqë e kanë ata në mes veti. Vërtetë, çfarë lezeti ka kjo dynja kur i shohim Gruevskin e Zaevin të hidhëruar e të përlotur, sepse kjo është bërë sebep që edhe liderët tanë – të ashtuquajtur shqiptarë – nuk po e çojnë mirë në mes veti. Zemër është kjo jahu, mund të pëlcasë një ditë nga marazi dhe zemrat e politikanëve; pëlcasin gjithmonë kur problemet e huaja bëhen si të tuat, kurse me problemet e tua merret “Vëllai i Madh” i koalicionit (keq)qeverisës. Turqit kësaj i thonë allishverish, kurse ne shqiptarët në mungesë të një shprehje adekuate i themi ‘’me naj fajt pa pajt’’.

Pra, Brukseli është nikoqir i do politikanëve provincialë që hasmërinë e tyre i kanë bartur edhe në kryeqytetin politik të Evropës dhe krejt fati i këtij shteti të lodhur ballkanik tash e tutje do të varet nga disponimi dhe gatishmëria për të pirë kafe dy politikanët maqedonas. Pra, kur është mirë Gruevski e Zaevi, është mirë krejt Maqedonia deri në Grupçin, paçka se askujt s’po i intereson se çka po ndodhë përtej Grupçinit, përtej Llopatit, përtej urës së Bit Pazarit; paçka se po bëhen 14 vite nga MO (Marrëveshja e Ohrit) dhe politikanët shqiptarë ende janë në konflikt të hapur me zgjedhësit e tyre për defektet marramendëse në implementimin e kësaj Marrëveshjeje.

Ende gjuha shqipe ka status të cunguar; ende në vendbanimet shqiptare investimet e munguara të shtetit i kompenson qesja e djersitur e kurbetit; ende qendra urbane e Shkupit perceptohet nga publiku si teatër gjigant i frustrimit primitiv arkitektonik; ende ka njësi elitare ushtarake e policore pa shqiptarë; ende gjyqet ndajnë drejtësi selektive në bazë të proceseve të montuara për shqiptarë; ende ministra provincialë përmes telefonit përdorin gjuhë fashisoide për shqiptarët; ende ato pak biznese të shqiptarëve kontrollohen nga një njeri i fuqishëm i shërbimeve sekrete maqedone; ende po dëgjojmë biseda agjentësh të involvuar në ngjarjen misterioze të Kumanovës dhe askush nuk merr masa që kjo ngjarje të zbardhet dhe hetohet ndërkombëtarisht; ende votuesit e vdekur maqedonas vlejnë më shumë se votuesit e gjallë shqiptarë; ende është në qarkullim publik “Makedonska Enciklopedia” e cila shqiptarët paturpësisht i paraqet ardhacakë dhe zaptues të tokave të buta sllave; ende shqiptarët nuk gëzojnë mbrojtje të dinjitetshme nga politikanët shqiptarë, sepse këta të fundit janë të kapur dhe shantazhuar nga partneri i koalicionit dhe kot u biem në qafë atyre kur as ata vetë nuk e dinë si do të përfundojnë; ende Buxheti i shtetit i shpëton “infarktit financiar” falë remitencave të mërgimtarëve shqiptarë, por në këmbim të kësaj ata nga shteti marrin me bollëk projekte që diskriminojnë kulturën dhe historinë shqiptare që orientojnë biznese vetëm në vendbanimet maqedone etj.
Ende… ende….

Por, në Bruksel nuk do të bisedohet për këto “cikërrima”, sepse atje kemi një hall më të madh: si të pajtojmë Gruevskin me Zaevin. Këtë hall ka edhe diplomacia evropiane. Madje, ajo caktoi edhe një ndërmjetës të posaçëm, i cili edhe kohën e tij të lirë dedikuar familjes, po e konsumon në gjetjen e lodrave sa më të përshtatshme për të pajtuar fëmijët e lazdruar të Shkupit.

E kuptojmë këtë hall, sepse vetëm kur qanë fëmija, ne bëhemi të prekshëm, reagues për ta kthyer vajin në buzëqeshje. Dhe, vetëm kur fëmija qetësohet, ne mund t’ia fusim gjumë. Zaten, e keni parë në çfarë përgjumje ndërkombëtare kemi futur gjithë botën ne shqiptarët e Maqedonisë? Sepse, ne nuk i kemi hallet që i ka Gruevski e Zaevi. Pra, nuk bëhemi marroq të qajmë arsye e paarsye… Ne, përpos që diskriminohemi “ngapak” institucionalisht dhe sistematiksiht, nuk kemi halle tjera. Neve, që na kahet nana tuj shku në kurbet për të mbajtur familjet dhe një pjesë të arkës së shtetit, nuk kemi ndonjë diskriminim tjetër. Neve, që thyejmë duar e këmbë tuj votu politikanë të korruptuar, për t’i instaluar më fuqishëm në sistemin perfekt të zhvatjes dhe haramballshëkut, nuk kemi arsye baco të qahemi.

Në Maqedoni qajnë vetëm ata që iu mungon demokracia, por ka shumë zemërgjerë e bujarë që u ndihmojnë atyre të pajtohen. Këta zemërgjerët e bujarët, që rastësisht flasin shqip, janë në paqe me pseudondërgjegjen e tyre, sepse përfaqësojnë një masë të madhe njerëzish që as nuk qajnë, as nuk protestojnë, as nuk rrahin policët, as nuk thyejnë xhamat e ndërtesës qeveritare.

Brukseli dhe shqiptarët ndodhen në një distancë bukur të madhe, por atë sot e kemi më afër se kurdoherë me paradoksalitetin e qasjes ndaj problemeve në Maqedoni, në kohën kur pikërisht në Bruksel, në një sallë tjetër, po rrafshohen dallimet historike në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Është po i njëjti Bruksel që në njërën anë po pajton popuj në mes veti, dhe në anën tjetër po e pajton një popull me vetveten.

Zaevi dhe Gruevski shkuan në Bruksel për të rrafshuar dallimet e perceptueshme për politikën dhe demokracinë, pra të pajtohen në mes veti, kurse Aliu dhe Menduhi udhëtuan atje për ta parë veten në pasqyrë se sa të mjerë janë kur dallimet e tyre nuk mund t’i rrafshojë as interesi i përbashkët kombëtar.

Kush mund t’i zëvendësoj ata?

 

Exit mobile version