Krerët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë janë krenuar me mbledhjen e tretë të përbashkët të këtyre dy qeverive, e cila u mbajt në Prishtinë, se ëndrra e shqiptarëve për bashkëpunim mbarëkombëtar po bëhet realitet.
Po ashtu, me këto takime dhe marrëveshjet në letër, që po dalin si prokreacion i saj, kanë shtuar deklaratat e liderëve institucionalë se bashkimi kombëtar po ndodh për çdo ditë.
Megjithatë, përfaqësuesit e subjekteve opozitare dhe analistët politikë në Kosovë thonë se mbledhjet e tilla të dy qeverive në fakt kanë për qëllim kryesor promovimin e pushtetarëve.
Ata, madje, thonë se përveç demagogjisë e retorikës nacionaliste nuk kanë asnjë rezultat në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja shtetet.
Për më tepër, analistët theksojnë mungesën e angazhimit të këtyre dy qeverive për të mbështetur shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Kosovës e të Shqipërisë, veçanërisht atyre në Luginën e Preshevës. Ndërsa edhe vetë liderët në Luginë kërkojnë më shumë angazhim konkret e më pak frazeologji folklorike./Zëri/