Draganço Stoimenov, i njohur në opinion si “Daco Bellski” pas tre muajve në arratisje dje është dorëzuar tek autoritetet dhe në prani të avokatit të tij është paraqitur në Prokurorinë në Koçan.
Gjykata e Koçanit i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ish-truprojës së Sasho Mijallkovit, me arsyetimin se mund të arratiset dhe të ndikojë tek dëshmitarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Stoimenov është i dyshuar se në janar në kafenenë “Aqua” në Koçan me armë zjarri ka gjuajtur dhe lënduar 33-vjeçarin Dragan Zdravev – Daç.
Pas incidentit, ndaj Stoimenovit u ngrit padi penale për veprën “tentim vrasje”.
Ndryshe, Stoimenov në opinion njihet si dëshmitari kyç në rastin “Detonatori”, në të cilin një pjesë e të akuzuarve janë dënuar me burg të përjetshëm, ndërsa u ndryshuan 13 komandantë policorë në Maqedoninë Lindore./Telegrafi/