Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.Rr. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale bashkësia jashtë martesore me personin nën moshën 16 vjet.
Sipas një njoftimi thuhet se i dyshuari ka bashkëjetuar me të miturën 16 vjeçare, duke kryer edhe marrëdhënie seksuale.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 18.03.2021, në kohë të pa caktuar, në Prishtinë, përkatësisht në një banesë, si person madhor, bashkëjeton në një bashkësi jashtëmartesore me të dëmtuarën – të miturën I.Sh., e moshës nën 16 vjet, edhe pse i pandehuri e ka ditur se e njëjta është e moshës nën 16 vjet, ka hyrë në bashkësi jashtëmartesore me të, duke kryer edhe marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në njoftim bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
“Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e lajmërimit në stacionin policor, apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme për parandalimin e të pandehurit për të mos përsëritur kryerjen e veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/