Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij qyteti për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.I., shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentativë,” sipas nenit 173 të Kodit Penal të Kosovës
Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake për Krime të Rënda, Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar që më 11 nëntor 2024, në rrugën “R.B.” në Ferizaj, i pandehuri ka tentuar të privojë nga jeta dy fëmijë, pjesëtarë të komunitetit RAE, të moshës 10 dhe 14 vjeçare, për shkak të përkatësisë etnike të tyre.
I pandehuri dyshohet se i ka ndjekur fëmijët dhe i ka goditur me një thikë të madhe kuzhine, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Fëmija 10-vjeçare u transferua në QKUK në Prishtinë, ndërsa fëmija 14-vjeçare u lirua për në shtëpi.
Po ashtu, i pandehuri dyshohet se në të njëjtën datë ka tentuar të privojë nga jeta një person tjetër, N.Sh., duke e sulmuar me thikë në pjesën e kokës dhe fytyrës në rrugën “E.T.” në Ferizaj.
I dëmtuari, pas trajtimit në Qendrën Emergjente në Ferizaj, u transferua në QKUK në Prishtinë, ku po trajtohet për lëndimet e marra.
Gjithashtu, ekziston dyshimi se i pandehuri ka tentuar të privojë nga jeta një tjetër qytetar, E.A., gjithashtu pjesëtar i komunitetit RAE, duke e sulmuar nga mbrapa në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për të pandehurin, sipas dispozitave të Kodit Penal të Kosovës, dhe njofton palët se ankimimi kundër këtij vendimi nuk shtyn ekzekutimin e tij.
Sipas gjykatës, të pandehurit F.I., më datë 14 shtator 2021, ka shpallur aktgjykim dënuar në kohëzgjatje prej një (1) viti, për shkak të veprës penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 të KPRK-së, i cili aktgjykim është bërë i plotfuqishëm më 18 nëntor 2021.
Sipas fletëlëshimit nga Qendra Korrektuese në Dubravë figuron se i pandehuri e ka vuajtur dënimin nga data 25 tetor 2023 deri më 25 tetor 2024/Telegrafi/