Site icon Telegrafi

Vrasje e rëndë në tentativë, lëndim i rëndë trupor e detyrim – paraburgim ndaj katër personave të dyshuar

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.S, XH.M, H.H, T.SH për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë” , “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia” dhe “Mbajtja në pronësi apo posedim i paautorizuar i armës”.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit D.S, XH.M, H.H, T.SH gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së të pandehurve, të njëjtit po të gjenden në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale dhe mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka vlerësuar se duke marrë parasysh rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, e kaluara e tyre kriminale si dhe marrë parasysh peshën e këtyre veprave penale, nëse të pandehurit lihen në liri do t’i përsërisin veprat penale apo të ngjashme, andaj këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.S, XH.M, H.H, T.SH.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version