Site icon Telegrafi

Paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të pozitës

Dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, D.H dhe I.I, iu është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Arrestimi i dy të dyshuarve është bërë të hënën nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Lexo po ashtu Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që u arrestuan ditë më parë

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve I.I dhe D.H për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë  kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit  184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version