Telegrafi

Paraburgim ndaj dy të miturve në Ferizaj, dyshohet se dhunuan një të mitur tjetër

Gjykata Themelore në Ferizaj, njoftoi këtë të premte se ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të miturve që dyshohen për veprën penale dhunimi.

Sipas njoftimit, për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se kanë keqpërdorur seksualisht një të mitur nën moshën 14-vjeçare me të cilën kanë kryer marrëdhënie seksuale.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të dyshuarit e mitur kanë keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, me ç‘rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të dyshuarve të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në komunikatën për media.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/