Muri me tulla i gjatë prej rreth gjysmë kilometri është ndërtuar me shpejtësi të madhe në Gudzarat të Indisë, me rastin e vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, kurse kritikët besojnë se muri është ndërtuar për të bllokuar pamjen e lagjes së varfër në të cilën jetojnë më shumë se dymijë persona.
“Derisa shpenzojnë paratë në ndërtimin e murit, do të ishte më mirë të shfrytëzohen për një jetë më të mirë në lagjen tonë. Pse po na fshehin neve njerëzit e varfër?” ka thënë Keshi Sarania, banor i kësaj lagje, transmeton Telegrafi.
Gjatë vizitës dyditore në Indi gjatë javës së ardhshme, Trump do të vizitojë qytetin Ahmedabad në Gudzarat për të marrë pjesë në ngjarjen e quajtur “Namaste Trump” që do të thotë “Përshëndetje, Trump” që organizohet në stadiumin e kriketit.
Gjatë shtatorit ishte mbajtur një tubim i quajtur “Përshëndetje Modi”, ku Trump ishte nikoqir dhe po priste kryeministrin indian Narendi Modi në Houston të Teksasit.
Trump do të udhëtojë përgjatë kësaj lagje të varfër, dhe do të jetë nën shoqërimin e Modit që është nga Gudzarati. Në anën tjetër zyrtarja e lartë e këtij shteti, Bidzal Patel, ka deklaruar se muri po ndërtohet për shkaqe sigurie dhe se nuk po mundohen ta fshehin lagjen e varfër.
“Përveç shkaqeve të sigurisë, muri është ndërtuar për t’u dukur më bukur dhe të jetë më pastër”, shtoi ajo. /Telegrafi/