Policia ka dhënë detaje në lidhje me djegien e një veture mbrëmë në Skenderaj brenda së cilës është gjetur edhe një trup i pajetë.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar pesë gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit.
Kjo ngjarje tashmë po cilësohet si “vrasje e rëndë”.
Kishte qenë një dëshmitar që kishte raportuar se një veturë është përfshirë në zjarr dhe në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante të policisë dhe zjarrfikësit, të cilët e kanë shuar zjarrin.
“Dëshmitari mashkull K/Shqiptar ka raportuar se një veturë është përfshirë në zjarr dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe zjarrfikësit, të cilët e kanë shuar zjarrin. Pas shuarjes së zjarrit është vërejtur se brenda automjetit, është një trup i pajetë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar pesë gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori, i cili e ka cilësuar rastin dhe me urdhrin e tij, trupi i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e policisë. /Telegrafi/