Telegrafi

Para një jave Haradinaj kishte thënë se AAK ka vija të kuqe për partitë në pushtet (Video)

Ndonëse mbrëmë u nënshkrua koalicioni në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, shefi i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte qenë kategorik se nuk ka asnjë mundësi që ai të bënte koalicion parazgjedhor me partitë që kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës.

Haradinaj në një konferencë për media, në ditën kur u rrëzua Qeveria e Kosovës, pikërisht para një jave, kishte deklaruar se “ajo që duhet sot, është se ka votë parlamenti me rrëzu këtë Qeveri”, duke shtuar “se ky ka qenë qëndrimi ynë parimor, që në nisje të kësaj Qeverie”.

“Sot na ka ardhë mirë për reflektim të njërës nga partitë në pushtet. Nuk prejudikon, nuk parasheh, dhe nuk ka as një paramarrëveshje ose marrëveshje me partitë në pushtet. Aleanca ka vijë të kuqe për partitë në pushtet. Ne i ofrojmë sovranit opsionin qeverisës AAK – Nisma, duke shpresuar edhe në akterë tjerë të shoqërisë civile apo opozitës. Në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë më partitë në pushtet, në mënyre që më ndërhy në gjykimin e lirshëm të qytetarit me votë. I bëjmë thirrje qytetarit të vendit që t’i gjykon këta më votë, për dëmet që ja kanë bërë vendit. I bëjmë thirrje qytetarëve të vendit që të na jep besimin që ta shpëtojmë vendin nga katrahura, që e kanë sjellë vendin PDK dhe LDK”, kishte theksuar Haradinaj./Telegrafi/