George Floyd ka ndërruar jetë më 25 maj në Minneapolis, para dyqanit “Cup Foods”.
Një tregtar kishte dyshuar që Floyd po tenton të paguaj gjësendet e blera me 20 dollarë false, kështu siç e kërkon protokolli i kishte telefonuar policisë, transmeton Telegrafi.
Menjëherë në vend të ngjarjes ishin shfaqur katër policë të cilët e rrëzuan më fytyrë për tokë, derisa njëri prej tyre ia mbante gjurin në qafë për afro nëntë minuta.
E në 3 minutat e fundit Floyd nuk kishte lëvizur më, e hetimet e pavarura kanë treguar se ai ka ndërruar jetë si rezultat i asfiksisë.
Polici që ia kishte vënë gjurin mbi qafë është arrestuar, kurse kjo vdekje ka shkaktuar protesta të dhunshme në tërë SHBA-të.
Mahmud Abumaialeh, është punonjësi i lokalit që i kishte telefonuar policisë duke shpjeguar gjithçka në Facebook.
Ai tregoi anën e tij të rrëfimit. Në postimin e tij në Facebook, Abumaialeh i ka shprehur ngushëllime familjes së Floydit, duke pranuar se nuk ka ndonjë koment lidhur me përdorimin e tepërt të forcës së policisë gjatë tentim arrestimit.
“Përkrahi këto protesta. Ligjet kërkojnë që t’i drejtohemi policisë në rast se hasim në përdorimin e parave false. Është një procedurë rutinore: raportojmë paratë false, e policia shfaqet në terren për të zbuluar burimin e tyre”, ka shkruar ai duke rikujtuar se kjo situatë është leksion për policinë.
“Kur punonjësi ynë mori paratë nga Floyd, menjëherë i telefonoi policisë bazuar në ligjet në fuqi”, shtoi ai, ku më pas menjëherë ishte shfaqur në vend të ngjarjes policisë që përdori metoda të dhunshme.
“George për asnjë moment nuk u ka rezistuar, dhe është e mundur që mund të mos e ketë ditur se paratë ishin false”, tha ndër tjera Abumaialeh që publikisht ka deklaruar se do të dhurojë para për varrimin e Floydit.
Sipas tij, policia do të duhej të shërbente dhe mbronte komunitetin, e ajo çfarë ka parë ai është se ata përdorin pushtetin për të humbur besimin e qytetarëve që e kanë tek ata. /Telegrafi/