Të paktën 40 persona vdiqën nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitja e dheut në Turqinë veriore, tha të shtunën Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në vend.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, shirat e rrëmbyeshëm që goditën të mërkurën krahinat e Detit të Zi, Bartin, Kastamonu dhe Sinop, shkaktuan përmbytje që shkatërruan shtëpi, prishën të paktën pesë ura, dhe i bënë rrugët e shumta të pakalueshme.
AFAD tha se 34 persona u mbytën në Kastamonu dhe gjashtë në Sinop.
Nëntë persona mbetën të shtruar në spital në qytetin Sinop, dhe një person u zhduk në provincën Bartin, sipas agjencisë.
Rreth 2,250 njerëz u evakuuan në të gjithë rajonin, disa u ngritën nga çatitë me helikopterë dhe shumë të tjerë u vendosën përkohësisht në konviktet e studentëve, thanë autoritetet.
Këtë muaj Turqia duhej të luftonte gjithashtu me zjarret e mëdha në jug.
Ato zjarre – të cilat tani janë nën kontroll – detyruan mijëra vendas dhe turistë të largoheshin nga Marmaris dhe zonat përreth.
Tetë njerëz humbën jetën dhe më shumë se më shumë se 100,000 hektarë bimësi u shkatërruan. /Telegrafi/