Telegrafi

Para biznesmenëve turq u prezantuan mundësitë për investim në Maqedoni

Ministrja pa resor për investime të jashtme, Zorica Apostolska realizoi takim pune me një delegacion biznesi nga Republika e Turqisë, të kryesuar nga zv. ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Mehmet Hadi Tunk dhe kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Frutave të freskët, Hajretin Uçak, të cilët po qëndrojnë për vizitë dy ditore në vendin tonë.

Në takim, të dy palët u shprehen të kënaqur me bashkëpunimin aktual në frymën e miqësisë tradicionale dhe riafirmuan vazhdimin e qasjes pozitive për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha specifike të interesit reciprok.

Apostolska prezantoi politikat ekonomike të qeverisë dhe mundësitë e ofruara nga plani i rritjes ekonomike për realizimin e investimeve në vend. Në kontekstin e politikave ekonomike dhe mbështetjes për realizimin e investimeve të reja, ajo theksoi se Qeveria ofron mbështetje të konsiderueshme financiare për kompanitë përmes procedurave transparente dhe inkurajoi biznesmenët turq të realizojnë projektet e tyre të investimeve në vendin tonë, duke shtuar se Qeveria është në dispozicion të tyre për mbështetje të plotë institucionale në zhvillimin dhe realizimin e tyre./Telegrafi/

Delegacioni i biznesit shprehu interes për realizimin e investimeve në sektorin bujqësor, veçanërisht në përpunimin dhe konservimin e perimeve dhe frutave, ku ata shohin një potencial veçanërisht të madh./Telegrafi/