Telegrafi

Para 41 vitesh u vra ikona e “The Beatles”, John Lennon

(Foto: The Irish Post)

Në këtë ditë (8 dhjetor) të vitit 1980, themeluesi legjendar i “The Beatles”, John Lennon, u vra brutalisht.

Çdo fans i njërit prej grupeve më të njohura të të gjitha kohërave, do ta kujtojë përgjithmonë momentin kur bendi mbeti pa ikonën e vet.

Muzikanti legjendar, i cili arrinte në shpirtin e dëgjuesve përmes këngëve, u vra brutalisht para ndërtesës së tij në një lagje elitare në New York.

Gjatë rrugës për në shtëpi me gruan e tij ,Yoko Ono, ai u përshëndet nga një fans me probleme mendore, Mark Chapman, i cili e qëlloi me katër plumba në shpinë.

Edhe pse ambulanca u përgjigj menjëherë, ishte e qartë se ai nuk kishte as më të voglën mundësi për të mbijetuar.

Një ditë para se ta vriste, Mark kishte marrë një autograf nga Lennon në albumin e tij të fundit, “Double Fantasy”, por siç tha më vonë – ai nuk mund të përballonte faktin se këngëtari legjendar kishte gjithçka, ndërsa ai nuk kishte asgjë.

(Foto: Daily Record)

Chapman është ende duke vuajtur dënimin e me burg të përjetshëm, kurse seanca e radhës për lirim me kusht është caktuar për në vitin 2022.

Vrasësi i Lennon thoshte shpesh se xhelozia ishte një sëmundje dhe se vuante shumë prej saj. Ai e përmendi shpesh se e bëri këtë nga dëshira për t’u ndier i famshëm dhe duke qenë se është i krishterë protestant, ai gjithashtu tha se ishte “i zemëruar” me Lennon, sepse në këngën e tij, “God”, thotë se nuk beson në asgjë, as në Zot, por vetëm për veten dhe gruan Yoko.

Ai u acarua më tej nga deklarata se “The Beatles” ishin “më të njohur se Jezusi”. Plot zemërim dhe urrejtje, Mark e vrau Lennonin dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Pas lajmit për vdekjen e këngëtarit, mijëra fansa të pikëlluar u mblodhën para ndërtesës së tij ku kënduan këngët e John.

Në vend të një funerali publik, më 14 dhjetor të vitit 1980, 200.000 njerëz bënë homazhe për të në New York, ndërsa të gjitha radio stacionet ndaluan transmetimin për dhjetë minuta. /Telegrafi/