Në këtë ditë (17 prill), 15 vite më parë, Zlatan Ibrahimovic shënoi het-trikun e parë në Serie A, në ndeshjen në të cilën Juventusi e shkatërroi Leccen me rezultat 5-2.
Pas transferimit nga Ajaxi, sulmuesi shtatlartë pati një sezon shumë të mirë debutues (2004/2005), kur ekzistonte dyshimi se a do ta tregonte formën e tij edhe te një klub i madh.
Ai shënoi 16 gola dhe dhuroi shtatë asistime në sezonin e parë duke plotësuar vendin e zbrazët nga lëndimi i David Trezeguet.
Tre nga këto gola u shënuan pikërisht më 17 prill 2005 kundër Lecces, kur edhe Ibra e regjistroi het-trikun e parë në kampionatin italian.
Juventusi e fitoi Scudetton atë sezon, mirëpo më vonë iu mor si pasojë e skandalit Calciopoli. /Telegrafi/