Site icon Telegrafi

Par shkak të luftës tregtare rritja e ekonomisë globale vetëm 3.7%

Rritja ekonomike globale ka arritur majën në një kohë të rritjes së tensioneve tregtare dhe trazirave në ekonomitë në zhvillim, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që uli projeksionet. Ekonomia botërore pritet të rritet me 3.7 për qind këtë vit edhe tjetrin, në rritje nga 3.6 për qind që u regjistrua vitin e kaluar.

Në perspektivën e fundit të prezantuar në maj, forumi i politikave në Paris, projektonte një rritje me 3.8 për qind këtë vit dhe 3.9 për qind në 2019-ën.

Organizata bëri të ditur se rritja e tregtisë, që ka qenë motori i rimëkëmbjes së fundit, është ngadalësuar gjatë vitit në rreth 3 për qind, nga 5 për qind që ishte në vitin 2017, kryesisht prej tensioneve mes SHBA dhe partnerëve tregtar.

“Librat e porosive të eksporteve kanë nisur rënien dhe kjo ka zgjatur për disa muaj, gjë që nënkupton se ngadalësimi i tregtisë do të vazhdojë”, deklaroi Organizata. Pavarësisht se SHBA është burimi i këtyre konflikteve, perspektiva ekonomike për Amerikën ishte më pozitivja ndër ekonomitë e zhvilluara, falë uljes së taksave dhe shpenzimeve qeveritare.

OECD la të pandryshuar projeksionet për ekonominë amerikane në këtë vit në 2.9 për qind, por uli parashikimin për vitin e ardhshëm në 2.7 për qind.

Tarifat në importe kanë nisur të japin ndikim në ekonominë më të madhe në botë dhe sipas vlerësimeve, barrierat që janë vendosur deri më tani do të rrisin çmimet totale në SHBA me 0.3-0.4 për qind.

OECD deklaroi se dobësimi i valutës i ka dhënë mbështetje deri më tani Kinës, që të absorbojë efektet e rritjes së tarifave, e për rrjedhojë, nuk ndryshojë projeksionet për ekonominë prej 6.7 për qind këtë vit.

Rritja e normave të interesit në SHBA dhe dollari i fortë, kanë shkaktuar trazira në ekonomitë në zhvillim si Argjentina, Brazili dhe Turqia, gjë që ka sjellë uljen e projeksioneve për të tria vendet.

Eurozona është vlerësuar në rënie, në 2 për qind nga 2.2 për qind, për shkak të kërkesës së dobët nga jashtë. /Telegrafi/

Exit mobile version