Telegrafi

Paqueta tani në telashe më të mëdha – ai rrezikon dënim me largim të përjetshëm nga futbolli

Lucas Paqueta, mesfushori sulmues brazilian, i cili luan te West Ham, nuk po mundet të përmirësojë situatën e tij që ka nisur një vit më parë ku po hetohet nga Federata Angleze e Futbollit, për baste të dyshuara të paligjshme. 

Sipas FA, për brazilianin janë vënë baste në katër raste për kartonë të verdhë, që realisht edhe janë materializuar, ndërsa qarkullimi i parave ka ardhur nga vendi i tij i origjinës, Brazili.  

Situata rreth tij po rëndohet ditët e fundit dhe skualifikimi i përjetshëm, ose më saktë përjashtimi nga bota e futbollit, tashmë duket se është i pashmangshëm. 

Sipas The Sun, në orët e fundit akuzës i është shtuar edhe akuza e re për “pengim të hetimeve” të lidhura me telefonin e tij.  

Në fakt, tetë javë pas publikimit të akuzës së parë, FA i kishte konfiskuar telefonin personal brazilianit dhe e kishte analizuar dhe studiuar në thellësi për të kërkuar mesazhe të dyshimta apo transaksione bankare që e lidhnin drejtpërdrejt me baste të paligjshme në Brazil, pasi kishte fakte që ato baste u fituan, pasi ai veproi në fushë.  

FA pasi e analizoi, ia ktheu telefonin lojtarit, i cili, megjithatë, pasi e rimori, e hodhi pasi ndërkohë kishte blerë një të ri. Ditët e fundit, FA i kërkoi Paquetas që të kthente sërish pajisjen e vjetër për hetime të mëtejshme, por mori si përgjigje nga lojtari: “Nuk e kam më”. Kjo gjë u pa, pikërisht, si pengesë për hetimet.   

Tani FA e akuzon Paquetan jo vetëm për baste të paligjshme, me rrethanë rënduese se ka vënë bast në ndeshjet e tij dhe për veten e tij, por edhe për mosbashkëpunim me drejtësinë në dy raste.  

Siç raportohet nga Calcio&Finanza, seanca dëgjimore për procedimin kundër Paquetas është caktuar për në mars të ardhshëm, megjithëse një vendim mund të mos jepet para verës së vitit 2025.  

Kjo do t’i mundësonte West Hamit të llogarisë te lojtari deri në fund të sezonit, por më pas ai mund të marr dënimin që duhet të jetë më i rëndi nga të gjithë: përjashtim përjetë nga futbolli. /Telegrafi/