Java e kaluar politike dhe diplomatike ndërkombëtare me takime të niveleve më të larta shtetërore iu kushtua pothuajse tërësisht mbështetjes së mëtejshme ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës, në luftën e saj heroike për të sprapsur dhe mposhtur agresionin rus. Ishin forume me emra tingëllues: Konferenca e donatorëve për rindërtimin e Ukrainës në Berlin më 10-11 qershor, Takimi i ministrave të Mbrojtjes të NATOS më 12 qershor, Samiti i zgjeruar të G7 në Pulia, Itali më 13-14 qershor me praninë dhe të Papa Franceskut, lutjet dhe fjala e tij atje dhe së fundi Konferenca e Paqes në Luzernë të Zvicrës me 15 – 16 qershor.
Kryefjala e tyre politike ishte Ukraina, mbështetja e saj, ashpërsimi i masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Me rezultatet tashmë të njohura, ku vlen të përmenden paketa prej 50 miliardë euro nga interesat që përfitohen nga pasuritë ruse në Evropë, sanksionet e reja amerikane ndaj 300 personave dhe firmave të lidhura me Rusinë, marrëveshja në fushën e sigurisë ShBA-Ukrainë, e cila shihet dhe si pararendëse e anëtarësimit të saj të mundshëm në NATO, livrimi i sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore dhe raketore etj.
Pas miratimit të vonuar të shumës prej 61 miliardë dollarëve nga ShBA-ja, kthesë tjetër e rëndësishme për frontin e luftimeve ishte autorizimi amerikan, francez dhe gjerman për Ukrainën lidhur me përdorimin e armëve perëndimore për t’u mbrojtur nga agresioni, duke përfshirë dhe pjesë të kufizuara të territorit rus.
Shtimi i ndjeshëm i këtyre ndihmave është tejet i dobishëm në kushtet e tanishme kur Rusia ka ndërmarrë një ofensivë të re dhe kur Ukraina ka shumë nevojë për predha, armatime, sisteme të mbrojtjes raketore, me qëllim që të rivendosë situatën luftarake dhe të krijojë premisat për t’u hedhur në ofensivë të përgjithshme.
Ndërkohë, më 15-16 qershor, në Luzernë të Zvicrës u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare e Paqes, nismë e qeverisë zvicerane me praninë e liderëve dhe përfaqësuesve të lartë nga 92 vende dhe organizata ndërkombëtare, ndërmjet të cilëve 50 krerë shtetesh dhe qeverish.
Ashtu siç edhe pritej, ajo përfundoi pa ndonjë rezultat premtues, me një deklaratë ku 80 vende mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. Mirëpo, kjo nuk ishte ndonjë gjë e re e ca më pak arritje e shënuar. Rikujtojmë se disa kohë më parë, veç organizatave të tjera euro-atlantike, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar dy rezoluta të ngjashme me 143 vende pro Ukrainës. Ndërkohë, mosprania e Rusisë dhe Kinës e zbehën ndjeshëm rëndësinë dhe jehonën e Luzernës. Problemi tjetër serioz ishte se me gjithë demarshet e shumta diplomatike, perëndimore dhe të vetë presidentit ukrainas Zelenski, edhe pse në Deklaratën e Konferencës Rusia nuk përmendej me emër, vetëm e vetëm që “të mos u ngelej hatri” shumë shtete të mëdha, nuk e nënshkruan tekstin e Deklaratës. Bëhet fjalë për vende të tilla me peshë gjeopolitike si India, Indonezia, Tajlanda, Brazili, Arabia Saudite, Afrika e Jugut. Kësisoj, kjo konferencë ishte më tepër një forum ndërkombëtar për të shprehur dëshirën e mirë për paqe, por jo më shumë se aq.
Mesa duket, nuk po kuptohet ende mirë se zgjatja pa afat e agresionit rus dhe për pasojë e luftës në Ukrainë bën të pamundur çdo demarsh dhe arritje për paqe apo armëpushim në tryezën diplomatike të një armëpushimi dhe paqeje. Ndonëse flitet e premtohet shumë dhe nismat e projektet në këtë drejtim nuk mungojnë. Kina, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, vetë Ukraina dhe Rusia kanë dalë me kohë me projektet e tyre të paqes, të cilat janë diskutuar në Kiev, Moskë, Uashington, Bruksel dhe në metropole të tjera ndërkombëtare, por pa asnjë rezultat.
Kjo ka ndodhur sepse këto nisma ndoshta vullnetmirë, më shumë se procese për realizimin e një paqeje të vërtetë rezultojnë, “eskapada”, pra mjete të përkohshme shpëtimi, për efekte të brendshme zgjedhore, për protagonizëm diplomatik, për të qenë “politikisht në rregull” dhe për imazhin e një vendi paqedashës, si në rastin e Zvicrës me bujarinë dhe mikpritjen e saj politike dhe diplomatike.
Në konferencë u shtrua gjerësisht dhe jo drejt se si dhe çfarë procedurash duhen ndjekur për “ta futur Rusinë në vallen diplomatike të paqes”! Kur, në fakt, çështja e vërtetë jetike është si ta mbrojmë Ukrainën dhe si ta mundim, si të fitojmë mbi Rusinë në frontin e luftës! Fakti i hidhur është se paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme me Rusinë e Putinit është bërë praktikisht e pamundur. Kjo, sepse kushti i panegociueshëm për një paqe të tillë të qëndrueshme është që Rusia të ndërpresë agresionin, të tërhiqet nga territoret e pushtuara më 2014 dhe mbas 24 shkurtit 2022 si dhe të japë garancitë e duhura se nuk do të përsërisë më sulme të tilla ndaj asnjë vendi tjetër. Ndryshe, siç ka thënë me të drejtë kancelari gjerman Scholz “paqja pa liri është shtypje, ndërsa paqja pa drejtësi është diktat”.
Mirëpo, siç e shprehu dhe në propozimet e tij absurde me kushte më 14 qershor, Putini jo vetëm nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë hap, porse ai po e kërkon jo më një, por shumë hapa gjeopolitike mbrapa, me kushte të papranueshme nga Kievi dhe NATO.
Në fakt, kjo ka qenë sjellja demagogjike e Putinit me Perëndimin edhe gjatë 10 viteve të fundit. Kështu, mbas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014, me ndërmjetësimin franko-gjerman dhe mbështetjen e ShBA-së, Moska dhe Kievi bënë Marrëveshjet Minsk 1 dhe 2 për paqe, por pa asnjë rezultat. Përpara se Rusia të niste agresionin e paprovokuar më 24 shkurt 2022, nuk mbeti lider botëror pa shkuar në Kremlin, në përpjekje për ta parandaluar atë agresion, por pa asnjë rezultat. Putini i shfrytëzoi këto demarshe diplomatike vetëm për të fituar kohë dhe për “të matur pulsin” perëndimor!
Ja pse çdo paqe “alla Putin” siç thotë nobelistja ukrainase Oleksandra Matviichuk, “nuk do të ishte paqe, por pushtim dhe kapitullim për Ukrainën”.
Duke iu rikthyer Konferencës së Luzernës, siç tregon dhe përvoja e mëparshme, ajo do të kishte më shumë kuptim dhe rezultate premtuese, qoftë dhe minimale nëse Ukraina do të kishte shënuar përparime në terrenin e luftës, duke qenë në pozita diktuese ndaj Rusisë, duke mos i lënë kështu hapësirë dhe alternativë tjetër Putinit. Mirëpo, jemi ende larg kësaj faze, madje është e kundërta, iniciativën luftarake tani për tani e ka ende në dorë Rusia. Për fat të keq, Moska është e izoluar vetëm nga Perëndimi, madje jo plotësisht dhe prej tij, veç jo nga pjesa tjetër goxha e madhe e botës. Mbi të gjitha ka me vete Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin, si dhe praktikisht vendet e mëdha të BRICS-it të përmendura më sipër, krerët e të cilës në gusht do të mblidhen në Samitin e tyre në Rusi.
Shkakun tjetër madhor të paaftësisë së diplomacisë klasike për arritjen e paqes në Ukrainë e shpjegon më së miri Alexander Rhotert, ndër ekspertët më të njohur gjermanë, kur thotë se: “Mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë, sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen, veçse me kushtet tona, jo të tyret”.
Veç kësaj, jo vetëm Ukraina, por edhe vetë Perëndimi është tejet i dobësuar politikisht, me pasiguri dhe dyshime jo të vogla për të ardhmen e tij. BE-ja vjen pas cunamit të fuqishëm politik në zgjedhjet evropiane më 6-9 qershor; e djathta radikale e sulmoi dhe triumfoi bindshëm në zemër të BE-së, te “zemreku” i saj Franca dhe Gjermania si dhe te bashkëthemeluesit e tjerë të BE-së, Italia, Belgjika, Holanda etj. Të tilla paqartësi dhe pasiguri po ndihen disa muaj përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane. Kështu që pa vendosur “paqe” në oborrin e tyre, vështirë t’i diktojnë Rusisë paqen, ca më pak me mjete diplomatike dhe paqësore.
Këtë realitet e ka sintetizuar disa herë muajt e fundit dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke paralajmëruar Aleancën Perëndimore që “të përgatitet për një luftë, e cila nuk dihet sa mund të zgjasë” e duke garantuar mbështetje të vazhdueshme, sidomos ushtarake për Ukrainën, sepse vetëm kështu “Putini do të bindet se nuk mund të fitojë dot as në fushën e luftimeve”.
Nisur nga këto faktorë gjeopolitikë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe, Nicolas Tenzer, me librin e tij më të ri “Lufta jonë” (Notre Guerre) kërkon me zë të lartë zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës”. Sipas tij, kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë, atëherë këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike dhe plane paqësore; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit.
Dhe, ajo çka kjo fitore kërkon është përshkallëzimi dhe përshpejtimi i ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe deklarimin e qartë se Perëndimi është i vendosur për fitoren e Ukrainës dhe disfatën e Rusisë dhe jo thjesht “do ta mbështesim Ukrainën aq kohë sa të jetë e nevojshme”, çka sipas tij, deri tani nuk thuhej me zë të lartë, siç u bë javën e kaluar në Berlin, Bruksel dhe Pulia.
Ndaj, ajo çka kërkohet nga vendet perëndimore është shtimi dhe përshpejtimi i ritmeve të dërgimit të armatimit të fuqishëm dhe vendimtar në Ukrainë. Kjo vlen sidomos për Gjermaninë, e cila ndonëse renditet e dyta për shumat e ndihmave për Ukrainën, duhet të shmangë njëherë e mirë drojën dhe vonesat e pajustifikueshme në këtë drejtim, siç ka bërë me livrimin e tankeve “Leopard II” dhe deri tani së fundi me mosdërgimin e raketave të fuqishme “Taurus” me rreze 500 km të gjatë veprimi, të cilat janë me rëndësi strategjike; me justifikime, të cilat pengojnë dhe vonojnë përparimin dhe fitoren e Ukrainës. Njëherë thuhet se “nuk duhet të kalojmë vijën e kuqe”, sepse me ato raketa mund të goditen objekte në brendësi të Rusisë e për pasojë Gjermania do të bëhej palë në luftë, se mund të përshkallëzohej agresioni rus deri në përdorimin e armëve bërthamore dhe të tjera si këto. Këto justifikime janë hedhur poshtë nga shumica dërmuese e gjeneralëve dhe ekspertëve ushtarakë perëndimorë.
Po aq i papranueshëm është propozim i disa javëve më parë e që “shpie ujë në mullirin rus” nga kryetari i Grupit Parlamentar të SPD-së, Ralf Mûtznich, i cili u shpreh publikisht për një “ngrirje” të luftimeve, çka ndeshi në kundërshtime të mëdha dhe brenda koalicionit qeveritar.
Edhe për “vijën e kuqe” që përmendet nga liderët në Berlin, ekspertë dhe historianë të njohur gjermanë sugjerojnë që ajo të mos përcaktohet për politikën e jashtme dhe të sigurisë gjermane, se kështu vetëm e dobësojnë atë, por t’i vihet “kufiri te thana” Rusisë.
Nisur nga sa sipër, vendimtare nuk janë më demarshet, propozimet dhe konferencat për paqen, por ndihma dhe mbështetja ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën; si kërkesë përparësore për të treguar se Perëndimi e ka seriozisht dhe se duke mbrojtur Ukrainën, ai mbron gjithë vendet e tjera sovrane dhe properëndimore, mbron “forcën e ligjit kundrejt ligjit të forcës”.
Ja pse, në krye të agjendës perëndimorë në mbështetje të Ukrainës kumbon më fort se kurrë aforizma e famshme latine “nëse do paqe, përgatitu për luftë”!