Site icon Telegrafi

Paqja e qelqtë

Ka më shumë se dhjetë vite që populli i Kosovës po e shkruan historinë e vet më të re, duke kaluar nëpër një varg sfidash e vështirësish, të cilat po e përcjellin në vazhdimësi. Edhe më tutje mungon vetëdijesimi i nevojshëm i bërjes dhe ndërtimit të shtetit.

Mungesa jo e duhur e eksperiencës në pushtet, mosprofilizimi real i partive politike, mungesa e planeve dhe programeve zhvillimore të partive, dhe planprogrameve nacionale në përgjithësi, po e zbehë pak a shumë qasjen në agjendat ndërkombëtare. Afirmimi i Kosovës dhe lobimi për të marrë poenë pozitivë në këto qarqe po i mungon vendit.

Ngritja në shkallë të lartë e korrupsionit dhe mosgatishmëria për ta luftuar këtë dukuri, ka bërë që investitorët e huaj të mos ndihen të gatshëm për të investuar te ne. Mosefikasiteti i sektorit të drejtësisë dhe gjyqësisë ka krijuar vakuume të dukshme në pushtet, madje në disa raste edhe anarki. Përgjithësisht, kutet e drejtësisë janë të ndryshme për disa shtresa njerëzish.

Nëpër enklava ligjet ndëshkuese për ata që e thyejnë ligjin janë shumë të buta, sikurse edhe për shtresat udhëheqëse dhe për ata që e keqpërdorin pozitën. Ligjet ndëshkuese nuk janë të vlefshme për pjesën e ndërkombëtarëve me mision në Kosovë, sepse ata kanë imunitet, ligjet janë të pavlefshme për ta.

Me sa është parë dhe faktuar, gjyqësia është tejet e ashpër ndaj shtresave që kanë dalë nga lufta e UÇK-së (mjafton të përmendet rasti Kiçina) dhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! Madje, asnjë ish-pjesëtar i burgosur i UÇK-së nuk është përfshirë as në amnistinë apo faljen që tash dy vjet radhazi e ka praktikuar presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e përvjetorëve të shpalljes së pavarësisë.

Është vërejtur se kjo shtresë është e përndjekur politikisht jo në kuptimin e diktaturës së proletariatit komunist, por nga nomenklatura e sistemit të kaluar, që dikur e ka përndjekur ketë shtresë e tani gëzojnë privilegje si klasë në shtetin e ri. Edhe për korrupsion ka të ngjarë që para drejtësisë do të vihen vetëm ish-struktura të UÇK-së.

Mijëra dosje presin të ekzekutohen nga gjykatat tona dhe kurrë për to nuk bëhet vonë, njerëz me dosje të rënda kriminale enden lirshëm nëpër Kosovë, edhe në pjesën veriore të vendit, apo të tjerë me dosje kriminale mbahen në “arrest shtëpiak”, kurse lideri i Vetëvendosjes!, Albin Kurti, ndiqet e përndiqet penalisht pa ndonjë shkas, vetëm për t’u dhënë mësim shqiptarëve të panënshtruar që të mos guxojnë të protestojnë kundër padrejtësive që u bëhen.

Madje, jepet urdhër që Albin Kurti të arrestohet në varrimin e njërit prej patriotëve më të devotshëm të çështjes kombëtare, Bacës Ali Aliu, emrin e të cilit nuk ka qeli në burgjet jugosllave serbe që nuk e ka të shënuar që nga Nishi e deri në Goli Otok.

Në vend që shoqëria jonë ta nderojë Ali Aliun për veprën e tij jetësore, për një jetë kushtuar çështjes kombëtare ndodhi ajo që askush prej nesh nuk e ka pritur se mund të ndodhë, të varroset nën rrethim të hekurt të njësive speciale të Policisë së Kosovës!, të cilat edhe ndërhynë dhunshëm kundër pjesëmarrësve në varrim për të arrestuar Albin Kurtin, duke bërë një akt të turpshëm, imoral e poshtërues.

Mjerisht, sot imazhi i Kosovës në sytë e Europës dhe shteteve tjera të bashkësisë ndërkombëtare përceptohet si një vend ku politika është e lidhur me korrupsionin, ku shoqërinë e sundojnë klanet provinciale me një përvojë të mangët profesionale dhe qasje aspak të arsyeshme ndaj zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Një vend ku kemi të bëjmë me shkallë të lartë të korrupsionit, përfshirë këtu edhe gjykatat, ku po tregohet një model i keq i shpërfilljes së ligjit, e mbi të gjitha pengesë e zhvillimit normal të shoqërisë së dalë nga traumat e një lufte terrorizuese.

Shkalla e lartë e korrupsionit që është prezente këto vitet e pasluftës në institucionet tona, është bërë pikë referimi gati për çdo gjë që lidhet me Kosovën, në zyrat diplomatike të burokratëve evropianë.

Madje, organizatat ndërkombëtare duke e vërejtur një joseriozitet të organeve tona ndaj luftimit të kësaj dukurie si dhe ndaj reformimit të administratës publike, gjendjes së rëndë në sektorin e energjisë, tregtisë, industrisë e telekomunikacionit, kanë filluar ta kërcënojnë vendin edhe me humbje donacionesh miliona eurosh po qe se nuk merren hapa konkretë në përmirësimin e gjendjes, siç ishte deklarata e para disa ditëve e Komisionit Evropian, lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes paraprake me FMN-në.

Porse për gjendjen e krijuar në Kosovë, nuk janë përgjegjës vetëm institucionet vendore. Sepse me përfundimin e luftës komuniteti ndërkombëtar i lloj-lloj turlie, nga vende të ndryshme të botës, zbarkoi në Kosovë në emër të paqes përmes misionit të OKB-së të quajtur UNMIK.

Përpos importit të shumë sëmundjeve të ndryshme, kulturave diversive, importuan edhe zanatçinj që do ta ushtrojnë vet dhe do t’ua predikonin zejen e re vendasve, për t’i kënaqur me karota, por nën kontrollin e kamxhikut përgjithmonë.

Me gjithë ritmin e dobët të njohjeve, imazhi i mirë i Kosovës është ndër çështjet kyçe për njohje të reja dhe tërheqje investimesh të huaja, që do ta zhvillonin ekonominë e vendit dhe do ta përmirësonin jetën e qytetarëve të Kosovës.

Kritikat e ashpra për korrupsion dhe kërcënimet që po i bëhen kohëve të fundit shoqërisë shqiptare nga Bashkimi Evropian, nuk janë ndonjë risi pasi që tash dhjetë vjet vjet bashkësia ndërkombëtare e di shumë mire se ka shkallë të lartë të korrupsionit në organet udhëheqëse si dhe kush dhe në ç’masë është i përzier në afera korruptive në Kosovë, ku janë të implikuar skajshmërisht edhe shumë zyrtarë ndërkombëtarë.

Bashkësia ndërkombëtare duke qenë e pafuqishme ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës, dhe duke pasur plane goditëse për palën shqiptare, siç ishte pakoja e Ahtisarit, decentralizimi, protokollet me Serbinë etj., s’kishte se si mos ta tolerojë dhe stimulojë korrupsionin në institucionet tona udhëheqëse, duke krijuar kështu një balancë dhe duke tentuar ta zhvendosë vëmendjen e opinionit diku tjetër.

Njerëz të saj duke përfituar direkt miliona euro nga kontratat e majme të Kosovës së varfër s’kishin se si të mos i lejonin dhe korruptonin edhe liderët politikë të Prishtinës, se kështu i siguronin jetëgjatësi influencimit të tyre.

Administrata e UNMIK-ut është bashkudhëtare me politikën dhe biznesin, që janë pjesë e korruptuar e shoqërisë sonë. Sipas një raporti të “Daily Telegraph” ata kanë humbur mbi 60 milionë euro në Kosovë, të cilat Brukseli i ka dedikuar në kuadër të ndihmave për rindërtimin e infrastrukturës së Kosovës.

Chris Heoton Aeris kohë më parë tha se është i shqetësuar për këtë pasi që paratë e taksapaguesve britanikë në mënyrë të vazhdueshme janë shpërlarë nëpërmes institucioneve jollogaridhënëse, duke përfunduar në xhepat e mashtruesve.

Burokratët e misionit të UNMIK-ut dhe të tjerët që po hanë me të njëjtën lugë, shumica prej tyre nuk kishin ardhur në Kosovë për të siguruar paqen dhe ndërtuar Kosovën dhe shoqërinë e saj për çfarë betoheshin çdo ditë, por të pasuroheshin me rroga të majme, ryshfete e mito si dhe tituj të bollshëm.

“Der Spigel” citon se rreth 80 % e pjesëtarëve të këtij misionit që janë anketuar, nuk e fshehin faktin se ardhja e tyre në Kosovë ishte e motivuar nga paraja. Shumë nga krerët e udhëheqjes së misionit të UNMIK-ut krijuan lidhje të mira me politikanët kosovar, sidomos gjatë viteve 2006-2008, jo në kuadër të zhvillimit dhe bashkëpunimit për interesa të Kosovës por për ato personale.

Prandaj, me gjithë shkallën e lartë të korrupsionit që prezantohet në organet tona udhëheqëse mund të thuhet se të tjerët, pra një pjese e “miqve” të Kosovës, kanë vjedhur e korruptuar shumë më shumë, por dallimi është se ata na e kanë vjedhur pasurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë, kurse këta tanët kanë vjedhur e vjedhin vetveten?

Dimë që një mori zyrtarësh të administratës së UNMIK-ut, të përzier në korrupsion e akte tjera të kundërligjshme kurrë s’janë ndjekur penalisht as nuk kanë dhënë përgjegjësi as para OKB-së po as në shtetet prej nga vijnë. Fatkeqësisht, as vendorët asnjëherë nuk kanë bërë një analizë të hollësishme të implikimeve të pjesëtarëve të administratës së UNMIK-ut as të EULEX-it në korrupsion e vepra kriminale.

Madje, ka raste që pjesëtarët e UNMIK-ut edhe i kanë vrarë qëllimisht qytetarët e Kosovës, siç ishte rasti i Mon Balajt e Arben Gjeladinit, por as nuk janë gjykuar as nuk janë dënuar, madje janë dekoruar për këtë akt në vendin e tyre të origjinës.

Jo Trutchler, dikur ishte menaxher i KEK-ut, që paguhej hiq më pak se 20 mijë euro në muaj. Ai dy vjet qëndroi në Kosovë si një parazit i llojit të vet, prej nga më pas u largua duke marrë me vete edhe 4.3 milionë dollarë, të cilat i transferoi në kontot e kompanisë së tij në Gjibraltar.

Njeriu që drejtoi korporatën e KEK-ut si një injorant që ishte nuk ishte as inxhinier as ekonomist, nuk kishte studiuar në Boston por as s’e kishte gradën e doktorit. Ai kurrë nuk dha llogari për veprat e tij kriminale, por u largua me një thes para dhe me rekomandime të shkëlqyeshme nga bosët e tij.

Firma Irlandeze “ESB International” për tri vite konsultime në KEK mblodhi jo më pak se 10 milionë euro. Ajo iku duke e lënë KEK-un në gjendje më të mjerë se sa e kishte gjetur.

Ditë më parë në kufirin Kosovë-Maqedoni u zunë disa pjesëtarë rumunë të misionit të EULEX-it duke kontrabanduar sasi të mëdha të cigareve, alkoolit etj. Gjerë më sot përpos deklaratave pompoze për shtyp asnjë masë disiplinore nuk është marrë ndaj tyre. Madje ndoshta edhe ndërhyrja brutale në varrimin e Bacës Ali Aliu dhe afera kundër Limajt janë bërë pikërisht në këtë kohë, për të lënë nën hije këtë skandal të EULEX-it.

Korrupsioni pos që e ka varfëruar jetën e qytetarit kosovar, është bërë pengesë serioze për zhvillimin e shoqërisë, ka krijuar edhe divergjenca të mëdha në shoqërinë tonë dhe një debalancim ekonomik, duke i dhëne asaj një drejtim të gabuar të vetëshkatërrimit. Demokracia fillon dhe zhvillohet me sundimin e ligjit, kurse sundimi i ligjit garanton një shoqëri demokratike që mund të zhvillohet e të ecë përpara.

Duket se në mes të EULEX-it me fuqi ekzekutive dhe segmenteve të caktuara të institucioneve dhe strukturave politike vendore, për të cilët flitet se janë të përfshirë në afera të mëdha korruptive ekziston paqja e qelqtë, e cila shërben si mbulesë e shumë marrëveshjeve e protokolleve të nënshkruara me Serbinë e shumë të tjerave që do të nënshkruhen më vonë, përfshirë këtu edhe raundin e ri të bisedimeve “teknike” Kosovë-Serbi, nga të cilat denigrohet shtetësia e Kosovës, rrudhet territori i saj dhe krijohen kushte për konflikte të reja.

Paqja e qelqtë herët a vonë do të prishet e perandoria e korrupsionit do të fillojë të shkatërrohet, atëherë qeni të zonë nuk do ta njohë!

Exit mobile version