Telegrafi

Paqartësi rreth peticionit për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri i kërkon Veselit ta procedojë në organet e Kuvendit

Peticioni i qytetarëve të Mitrovicës, për bashkimin e qytetit, nuk është dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kështu tha në një prononcim për Telegrafin kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje.

Deputetja Balje tha se peticioni nuk ka shkuar fare në komision dhe se Komisioni, të cilën ajo e drejton, nuk ka kompetencë të kërkojë llogari për këtë çështje.

“Peticioni i qytetarëve për Bashkimin  e Mitrovicës nuk ka ardhur te ne në komision. Ne nuk kemi kompetencë të kërkojmë llogari për mosardhjen te ne. Edhe pse jemi Komisioni i vetëm që kemi mandat t’i shqyrtojmë peticionet. Kosova nuk ka ligj për peticion. Ne i shqyrtojmë në bazë të rregullores së Kuvendit”, ka thënë ajo.

Balje gjithashtu shprehu keqardhje që peticioni për bashkimin e Mitrovicës nuk është dërguar në këtë Komision, pasi siç tha ajo do ta përkrahte kërkesën e qytetarëve të Mitrovicës.

“Më vjen keq që nuk ka arritur te ne peticioni, sepse unë do të jem në krahun e kërkesës së qytetarëve”, ka thënë deputetja Balje, për Telegrafin.

Ndërsa, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili është edhe iniciator i këtij peticioni theksoi për Telegrafin se nuk e din arsyen pse nuk ka shkuar peticioni në këtë Komision.

“Unë nuk e di pse s’ka shkuar, pasi është sekretaria që e vendos. Unë ia kam dorëzuar kryeparlamentarit, Kryetarit të shtetit, grupeve parlamentare”, tha ai.

Bahtiri kërkon nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që ta dërgojë peticionin në organet të cilat ai i drejton.

“Unë bëj apel që kryetari i Kuvendit, peticionin le ta dërgoj nëpër organe të nivelit që ai e drejton. Të gjitha ato që janë nevojitur i kam dërguar. I kam dërguar në mënyrë të hapur tek të gjithë”, potencoi ai.

I pyetur se a ka pasur bisedë me kryetarin e Kuvendit, për ta ditur arsyen e mos dërgimit të këtij peticioni në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Bahtiri tha se “nuk e di çka me bë më shumë…”

“S’kam pas lidhje telefonike me Kadri Veselin, por i lutem që të fillojë një procedurë që të shkojë në Kuvend si pikë e rendit të ditës, dhe ta dëgjojmë nga deputetet se si po e trajtojnë, si dhe kush po e përkrah dhe kush jo… S’e kam problemin kush e përkrah e kush jo, mjafton të hyj në seancë”.

Ndryshe, peticioni për bashkimin e Mitrovicës me 16.594 nënshkrime nga qytetarët e Mitrovicës është dorëzuar për herë të parë më 16 janar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo ky peticion i cili më pas u dorëzua nga Kuvendi në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga aty në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nuk e mori mbështetjen e duhur.

Më pas kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri javën e kaluar këtë peticion e dorëzoi tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe më pas tek Grupet Parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/