Site icon Telegrafi

Paqartësi për lirimin ose jo të xhihadistit Qëndrim Ramadani

Qëndrim Ramadani, një i ri me prejardhje nga Kosova dhe me banim në kantonin Aargau të Zvicrës, qe arrestuar në pranverën e këtij viti në Turqi pasi që në një pritë kishte vrarë bashkë me dy persona të tjerë tre ushtarë dhe policë turq.

Pas një marrëveshjeje që ka bërë me ISIS-in, për shkëmbimin e robërve, Turqia është zotuar t`i lirojë 180 robër, kundrejt 49 punëtorëve të Konsullatës së Turqisë, të kapur në Irak nga ISIS-i.

Në disa lajme të publikuara në mediet zvicerane, që i referohen gazetës britanike “The Times”, pohohet se në mesin e të liruarve me këtë rast është edhe xhihadisti i përmendur kosovar, Ramadani.

Gazeta bën fjalë, duke i identifikuar me emra, për dy britanikë, tre francezë, dy suedezë, dy maqedonas, një belg dhe një zviceran. Emri i këtij të fundit nuk është përmendur por njëri nga autorët e artikullit ka shkruar pastaj ne twitter se ndër të liruarit është edhe Qëndrim Ramadani.

I përmenduri 23 vjeçar është rritur në Zvicër por, sipas Departamentit Zviceran të Punëve të Jashtme nuk ka pasur shtetësi zvicerane.

Ndërkohë, burime tjera thonë se Çëndrim Ramadani megjithatë nuk është në mesin e të liruarve.

Në orët e vonshme të mbrëmjes së të hënës, Jean-Paul Roullier nga Qendra e Gjenevës për Terrorizëm (GCTAT) ka deklaruar për gazetën “Le Temps” se posedon një listë me dhjetë emra të liruarish me prejardhje evropiane.

Por, sipas Rollier në këtë listë ku ndodhet edhe emri i një gruaje, nuk është xhihadisti nga Kosova.

Rollier ka thënë se Qëndrimi fajësohet për vrasje të ushtarëve dhe policëve turq. “Dhe, një gjë të tillë turqit nuk mund t`ia falin”. /albinfo/

 

Exit mobile version