Besa pas xhiros së 15-të në elitën e futbollit tonë, renditet në pozitën e gjashtë me 22 pikë. Mbrojtësi pejanë thotë se skuadra e tij ka forcë të jetë në mesin e skuadrave që synojnë majat e tabelës.
Sezoni po ecën mirë. Nuk është keq, por mendoj se kemi mundur të jemi edhe më mirë në renditjen tabelore. Ne kemi forcë të jemi në mesin e skuadrave që synojnë kreun e tabelës, ka thënë Papuqi për KosovaPress.
Besa dje pësojë disfatë kundër Llamkos Kosovës me rezultat 2-1. Papuqi thotë se në duel me vushtrriasit skuadra e tij ishte në mungese të disa lojtarëve, por sipas tij, edhe fati sportive nuk ishte në anën e tyre.
Dje humbëm nga ekipi që po lufton për titull të kampionit. Skuadra jonë në këtë ndeshje ishte pa disa lojtarë titullar për shkak të lëndimeve dhe kartonave. As unë nuk kam luajtur për shkak të kartonave, megjithatë, në duel me vushtrriasit edhe fati sportiv nuk ishte në anën tonë, tha Papuqi.
Papuqi: Do ta mposhtim Drenicën
Besa e Pejës në xhiron që vjen do të përballet me Drenicën. Papuqi e vlerëson të vështirë sfidën kundër drenicasve, por ai beson se ekipi i tij ndaj Drenicës do tu kthehet fitoreve.
Të dielën luajmë kundër Drenicës, e cila s’ka pësuar humbje në 10 ndeshjet e fundit. Opsioni ynë i vetëm në këtë ndeshje është fitorja. Në ndeshje e radhës ne jemi komplet dhe jam i bindur se do ta fitojë ndeshjen kundër Drenicës, ka theksuar Papuqi.
Ai ka folur edhe për objektivat e klubit pejanë. Sipas Papuqit, gara për titull të kampionit është synimi i pejanëve, ndonëse ai është i vetëdijshëm se rruga deri tek majat e tabelës është gjatë dhe e vështirë.
Synimet e Besës dihen. Si çdo herë do të luftojmë për titull edhe pse jemi pak sa larg, megjithatë, titulli nuk është i pamundshëm. Ne do të përpiqemi që te jemi sa më lartë në renditjen tabelore, ka pohuar Papuqi.
Ai mendon se Besa në pjesën e dytë të garave do të jetë edhe më e fortë. /KosovaPress/Telegrafi/