Site icon Telegrafi

Papunët në Eurozonë 9.1%

Norma e papunësisë në Eurozonë ka mbetur e pandryshuar gjatë Korrikut, në 9.1%, po aq sa në muajin Qershor të këtij viti, tregojnë të dhënat më të fundit të Eurostat. Kjo është norma më e ulët që prej Shkurtit të vitit 2009.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërkohë, papunësia fiksohej pranë 10%. Edhe për 28-tëshen e Bashkimit Europian, norma e papunësisë rezulton e njëjtë gjatë korrikut, në krahasim me Qershorin, pranë 7.7%, që është niveli më i ulët që prej dhjetorit të vitit 2008.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se, në Bashkimin Europian, aktualisht ka 18.9 milionë të papunë, mes të cilëve, 14.8 milionë në Eurozonë.

Krahasuar me muajin paraardhës, numri i të papunëve, si në Eurozonë, ashtu edhe në Bashkimin Europian, është rritur, me 93 mijë dhe 73 mijë persona respektivisht.

Republika Çeke, Gjermnia dhe Malta vijojnë të regjistrojnë normën më të ulët të papunësisë në Bashkimin Europian, me 2.9%, 3.7% dhe 4.1% respektivisht.

Greqia është vendi me normën më të lartë, në 21.7%, e ndjekur nga Spanja, me një papunësi në 17.1%. /Telegrafi/

Exit mobile version