Site icon Telegrafi

Papunësia, varfëria dhe korrupsioni – tri problemet kryesore të qytetarëve

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ditë më parë lansoi edicionin e 20-të të Përmbledhjes Pulsi Publik përmes një prezantimi virtual të të gjeturave kryesore.

Ndër problemet kryesore theksohen të jenë papunësia, varfëria dhe korrupsioni.

Në vijim disa nga të gjeturat kryesore:

Indeksi i Demokratizimit (ID) është rritur me 0.26 pikë (1.58) krahasuar me dhjetorin 2020, kur kjo vlerë ishte 1.32 pikë që tregon se shumica e respondentëve janë të kënaqur me trendët demokratike në Kosovë.

Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) është rritur nga dhjetori 2020 (0.84) dhe ka arritur në 1.49 pikë, duke treguar një rritje të konsiderueshme të besimit të qytetarëve në perspektivën ekonomike të Kosovës.

Gjetjet tregojnë edhe rritje thelbësore të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 76.4% që ndihen të sigurt kur janë jashtë (në publik), krahasuar me 68.4% të regjistruar në dhjetor 2020.

Tri problemet kyçe me të cilat Kosova aktualisht ballafaqohet janë papunësia (34.3%), varfëria (19.3%) dhe korrupsioni (9.3%).

Serbët e Kosovës e konsiderojnë papunësinë (16.7%), sigurinë publike dhe personale (14.8%) dhe problemet e hapësirës urbane (12.9%) si tri problemet më të mëdha, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës problemi më i madh është papunësia (51.2%), ndjekur nga varfëria (18.9%) dhe furnizimi me energji (11.4%).

Respondentët u shprehën mesatarisht të kënaqur me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 me 43.6% të kënaqur me masat e ndërmarra nga kabineti ekzekutiv.

Kënaqshmëria e regjistruar me performancën e kabinetit të ekzekutivit është 59.1%, gjë që përbën një rritje prej 37.8 pikë përqindje në krahasim me anketën e dhjetorit 2020 kur kjo vlerë ishte 21.3%.

Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 59.5% (23% në dhjetor 2020), ndërsa kënaqshmëria me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është rritur nga 46.7% në dhjetor 2020 në 59.2% në maj 2021.

Niveli më i lartë i kënaqshmërisë prej 63.7% është regjistruar me punën e Presidentes së Kosovës, krahasuar me 33.9% të regjistruar në dhjetor 2020. /Telegrafi/

Exit mobile version