Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot Pulsin Publik XV, projekt ky i financuar nga USAID, ngjashëm me anketat e mëparshme, pjesëmarrësit theksojnë se papunësia (29.4%), korrupsioni (13.4%) dhe varfëria (8.6%) janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova.
Sondazhi shqyrton situatën socio-ekonomike në Kosovë duke analizuar perceptimet e çështjeve politike, ekonomike, të sigurisë dhe të zhvillimit.
Përveç treguesve të zakonshëm kyç, kjo përmbledhje gjithashtu shqyrton njohuritë e kosovarëve për mjedisin dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut.
Anketa, e cila u zhvillua në nëntor të vitit 2018, përfshiu 1306 kosovarë mbi moshën 18 vjeç.
“Ngjashëm me anketat e mëparshme, pjesëmarrësit theksojnë se papunësia (29.4%), korrupsioni (13.4%) dhe varfëria (8.6%) janë çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova. Rezultatet tregojnë një rritje të qëndrueshme pozitive në shumë fusha kyçe, duke përfshirë besimin në institucionet kryesore dhe ndjenjën e sigurisë në publik”, thuhet në njoftim.
Rreth 70% e kosovarëve besojnë se faktorët jo meritorë (lidhjet familjare, ryshfetet, aleancat partiake, miqtë, pamja e jashtme, gjinia) janë faktorët më të rëndësishëm në marrjen e vendit të punës në sektorin publik. Ky numër, megjithatë, ka pësuar rënie prej 9% që nga maji 2018.
Në aspektin e çështjeve mjedisore, shumica e të anketuarve deklaruan se kanë njohuri të kufizuar ose nuk kanë fare për këtë temë. Për më tepër, mbi 70% thanë se kanë pak ose aspak njohuri për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër. /Telegrafi/