Numri i të papunëve në Gjermani u rrit në janar krahasuar me muajin e mëparshëm dhe me janarin 2023, tregojnë shifrat e reja paraprake të qeverisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shkalla e papunësisë u rrit me 0.4 pikë përqindjeje në 6.1%, tha të mërkurën Agjencia Federale e Punësimit e Gjermanisë, bazuar në të dhënat deri më 15 janar.
Papunësia zakonisht rritet sezonalisht në janar, megjithëse shifrat paraprake e tregojnë numrin e të papunëve këtë vit në 189,000 më të lartë se në janarin e një viti më parë.
Numri i vendeve të lira të punës ra gjithashtu, duke treguar se kërkimi i punës për punëtorët e papunë mund të bëhet më i vështirë.
Agjencia raportoi 699,000 vende të lira pune këtë muaj, që është 66,000 më pak se në janar të vitit 2023.
“Rritja vjetore e papunësisë në fund të vitit është më e ulët këtë vit. Punësimi dhe kërkesa për punë janë gjithashtu të qëndrueshme, që do të thotë se tregu i punës është i qëndrueshëm në fillim të vitit pavarësisht dobësisë së vazhdueshme ekonomike”, ka thënë Andrea Nahles, kryetare e agjencisë.
Në konferencën për shtyp pas publikimit të shifrave, Nahles tha se ajo i referohej viteve të para-coronavirusit, kur papunësia vjetore e janarit zakonisht u rrit me 200,000. /Telegrafi/