Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar gjatë muajit janar, ndërsa treguesi bazë është rritur lehtë. Sipas të dhënave të Eurostat, indeksi i çmimeve të konsumit në zonën e valutës së përbashkët u ngadalësua në 1.3 për qind nga 1.4 për qind që ishte në dhjetor. Kjo rënie erdhi kryesisht prej çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara.
Çmimet e energjisë janë rritur me 2.1 për qind në janar, krahasuar me 2.9 për qind rritje gjatë dhjetorit, ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur me 1 për qind, krahasuar me 1.9 për qind një muaj më parë. Duke hequr këto dy komponent të luhatur dhe dalë te treguesi bazë që monitorohet nga BQE, niveli i çmimeve u rrit me 1.2 për qind, nga 1.1 për qind që ishte në dhjetor dhe sipër projeksioneve për një ngadalësim në 1 për qind.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi papunësinë në Eurozonë, për dhjetorin. Gjatë muajit, papunësia u regjistrua në 8.7 për qind, e pandryshuar nga nëntori, por në rënie nga dhjetori 2016, ku norma shënoi 9.7 për qind. Ky është niveli më i ulët që prej janarit 2009. Ndër vendet anëtare, norma më e ulët u regjistrua në Republikën Çeke, në 2.3 për qind, ndjekur nga Malta dhe Gjermania, me 3.6 për qind secila.
Normën më të lartë vazhdon ta mbajë Greqia me 20.7 për qind, ndjekur nga Spanja me 16.4 për qind, sipas Eurostat. /Telegrafi/