Site icon Telegrafi

Papunësia i largon të rinjtë nga Maqedonia (Video)

Erdin Ibrahimi ka kryer shkollën e mesme në gjimnazin Josip Broz Tito në Shkup, por tashmë 10 vite jeton dhe punon në Turqi. Arsyeja pse është larguar nga vendlindja, siç thotë ai është jo stabiliteti ekonomik. Erdini përmes Skype-it na shpjegoi që për momentin punon si marketing agjent në Stamboll, por thotë që nëse në të ardhmen përmirësohet gjendja ekonomike në vend, ai do të kthehej të jetonte këtu.

“Momentalisht jetoj në Turqi për arsye ekonomike. Nuk mundem të kthehem në Maqedoni. Do të doja të kthehem nëse do të kisha punë të mirë, nëse mundem të përparoj ekonomikisht, të jem në funksion më të mirë nga tani dhe ta punoj në profesionin tim. Do t’u kthehesha në Maqedoni, ne qoftë se përmirësohet gjendja ekonomike”, tha Erdin Ibrahimi.

Për Erdinin është shumë e vështirë ajo që jeton larg shtëpisë dhe se e ka pasur patjetër ta sjell një vendim të tillë.

“Vetë jam larguar, vetë kam vendosur të vijë këtu. Momentalisht familja ime ndodhet në Shkup dhe mundohen të jetojnë atje disi në këtë krizë të madhe. Më mungon vendlindja, më mungon shoqëria dhe familja”, shtoi ai.

Largimi i të rinjve nga Maqedonia është një trend rritës dhe kjo gjë duhet të ndryshohet. Ata duhet të qëndrojnë dhe të jenë të kënaqur me kushtet të cilat i ofrohen, thonë nga KSL dhe Koalicioni TANI të cilët organizojnë kampanjë për promocionin e fuqisë punëtore të re. Sipas Nikolla Stankoskit nga Koalicioni TANI, problem më i madh paraqet sigurimi i kontributeve.

“Me atë që Qeveria i mbuloi kontributet edhe tre vitet e ardhshme jemi të liruar nga pagesa e kontributeve që na ndihmon neve si organizatë e të rinjve të punësojmë sa më shumë të rinj. Më parë njerëzit angazhoheshin me kontratë në vepër ose përkohësisht, që ishte një mundësi e shkëlqyeshme që në përgjithësi të rritet punësimi i të rinjve në Maqedoni”, u shpreh Nikolla Stankoski, Koalicioni TANI.

Sipas analizës së “Atlantik atik-tak”, 85% nga të rinjtë janë shpërngulur për shkak të sjelljes joetike dhe mos ofrimi i shërbimeve nga ana e institucioneve. Në Maqedoni, shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48%, që është fakt alarmant për dallim të mesatares evropiane prej 9.5%. /Telegrafi/

Exit mobile version