Telegrafi

Papunësia dhe varfëria mbeten të larta

 Raporti i fundit i programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, i publikuar ditë më parë, tregon se papunësia dhe varfëria janë problemet më të mëdha të kosovarëve.

Në raport thuhet se respondentët e pyetur shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, papunësinë dhe varfërinë i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Duke pasur parasysh këtë, në këtë raport të UNDP-së thuhet se punësimi duket të jetë një mënyrë shumë e rëndësishme për t’iu mundësuar kosovarëve të ecin përpara.

Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social, thotë se janë duke bërë përpjekje të mëdha për uljen e papunësisë dhe zbutjen e varfërisë. “Ministria e Punës është duke bërë aq shumë sa i përket nxitjes së shkallës punësimit dhe zhvillimit të masave aktive të punësimit dhe zgjerimit të politikave aktive me një kapacitetet shumë të limituar financiar, që vërtet është befasuese. Vetëm vitin e kaluar Ministria e Punës ka arritur të ndërmjetësojë në punësimin e rreth 7 mijë personave”, thekson Leka për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, sipas hulumtimeve të bëra së fundi, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.

Për pasojë, varfëria mbetet e përhapur në 45 për qind të popullsisë, ndërsa 17 për qind janë në varfëri ekstreme.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, në një intervistë për Radion Evropë e Lirë kohë më parë ka thënë se kanë statistika, të cilat tregojnë se shkalla e papunësisë është më e lartë se 45 për qind. “Besoj se në këtë drejtim bashkërisht jemi gjithmonë duke punuar, që ky numër i madh nga statistika e të papunëve, të shkohet drejt zvogëlimit. Por, megjithatë duhet të bëjmë punë më të madhe në këtë drejtim, në mënyrë që të arrijmë ta zvogëlojmë shkallën e papunësisë”, thotë Arifi.

Ndryshe, në vitet e fundit në Kosovë nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë. Ndërkaq, supozohet se tregu i punës në Kosovë i absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit, ndërsa pjesa tjetër mbesin të papunë dhe potencialisht mund të shndërrohen në persona të varfër. /Telegrafi/