Site icon Telegrafi

Papu Gomez dënohet për dy vjet për shkak të dopingut

Gazeta spanjolle Relevo pretendon se Papu Gomez është përjashtuar për dy vjet nga futbolli pasi ka dështuar në një test dopingu gjatë kohës sa ishte te Sevilla.

Ish-ylli i Atalantas u rikthye në Serie A muajin e kaluar, duke iu bashkuar Monzas si lojtar i lirë pasi kontrata e tij me Sevillën kishte skaduar.

Ai ka bërë vetëm dy paraqitje për klubin italian këtë sezon, por koha e tij në klub mund të ketë përfunduar tashmë.

Në fakt, sipas gazetës spanjolle Relevo, Gomez është përjashtuar nga federata spanjolle për dy vjet pasi dështoi në një test dopingu gjatë kohës së tij në Sevilla.

 

Sipas raportit, Gomez dështoi në testin e dopingut në nëntor 2022, përpara se të merrte pjesë në Kupën e Botës “Katar 2022” të fituar nga kombëtarja e tij, Argjentina.

Lojtari pretendon se disa ditë para se të dështonte në test, ai kishte marrë shurup nga një prej fëmijëve të tij për të trajtuar një ftohje pa informuar mjekët e klubit.

Sipas raportit, Gomez u informua për pezullimin në fillim të kësaj jave. Mbetet të shihet nëse sulmuesi argjentinas do të bëjë ankesë. /Telegrafi/

Exit mobile version