Telegrafi

Papërgjegjësia e Agjencisë së Ushqimit krijon borxh prej gjysmë milioni euro ndaj “EuroLonës”

Të gjitha kafshët e konfiskuara nëpër kufijtë e Kosovës nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dërgoheshin në karantinën e fermës “EuroLona”, pronar i së cilës është Milazim Berisha.

Nga viti 2009 e deri tash AUV-së i është grumbulluar një borxh prej 486 mijë euro ndaj “EuroLonës”, për shkak se kjo e fundit i mbikëqyr, ushqen dhe strehon kafshët e konfiskuara.

Ky borxh rrjedh nga një kontratë në mes AUV-së dhe “EuroLonës” që ishte nënshkruar që kafshët kontrabandë të strehoheshin në karantinën e Milazim Berishës.
Por për këtë borxh nuk po merr përgjegjësi AUV-ja, duke u shty nëpër procese gjyqësore me Berishën.

Ai rrëfen për Indeksonline se strehimi i kafshëve i ka krijuar shpenzime të mëdha, ndërsa shteti nuk merr përgjegjësin për kryerjen e pagesës së borxhit. “Në fillim kemi pasur kontratë me Doganat e Kosovës, ku më vonë këtë përgjegjësi e ka marr Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Me Doganat nuk kemi pasur telashe, i kanë kryer pagesat me rregull. Pasi e kanë marr AUV-ja kanë vazhduar problemet”, tregon Berisha.

Ai madje thotë se për strehimin e këtyre kafshëve kishte marr kërcënime serioze nga kontrabanduesit e kafshëve. “Ne i kemi kryer obligimet tona dhe kurrë asnjë vërejtje nuk e kemi pasur. Aq shumë kemi pasur kërcënime nga kontrabandistët, sepse ka pasur emra të mëdhenj që kanë kontrabanduar”.

Berisha kishte bërë kërkesë që kafshët të largoheshin nga karantina e tij, sepse nuk po i paguhej borxhi dhe nuk po respektohej kontrata, por një gjë të tillë nuk e ka bërë AUV-ja. “Na kanë thanë që nuk kemi buxhet, mjete të ndara, sepse aq shumë janë rritur shpenzimet. Në vend se të qëndrojnë kafshët një muaj ose dy, kanë qëndruar me vite dhe janë grumbulluar shumë e madhe mjeteve. Kafshët e kemi obligim t’i mbajmë dhe nuk guxojmë t’i shesim. Në momentin që unë i nxjerr jashtë, bëj shkelje ligjore sepse kafsha është provë materiale”.

Pronari i karantinës kishte ofruar edhe mundësi për shlyerjen e borxheve me rata, por prapë nuk kishte hasur në mirëkuptim. “U kam ofruar disa mundësi. Kam qenë në gjendje të heq diçka edhe nga borxhi, që të lirohem nga kjo barrë e përgjegjësisë. Deri në fund të 2015 janë 486 mijë euro borxh. Kam qenë në gjendje edhe rata të nënshkruaj marrëveshje për pagesë”, ka thënë për Indeksonline Berisha. /Telegrafi/