Telegrafi

Paparacët fotografojnë Orlando Bloomin në plazhet e Italisë, aktori tregon muskujt e formësuar të trupit

Aktori Orlando Bloom është duke shijuar pushimet me partneren Katy Perry dhe vajzën e tyre Daisy. Familja ndodhet aktualisht në Porto Cervo, Itali, ku ata u fotografuan nga paparacët. Vëmendjen e fotografëve e tërhoqi trupi i stërvitur i Orlandos.

Orlando dhe Katy pjesën më të madhe të kohës në plazh e kaluan duke luajtur me vajzën e tyre, ndërsa kur nuk ishin duke u larë, eksploronin restorantet lokale dhe shijonin delikatesat italiane. Për dy ditë, Katy kishte angazhime në një sfilatë të markës italiane të modës ‘Dolce & Gabbana’ në Cagliari, ndërsa Orlando kalonte kohë me vajzën e tij në plazh.

Orlando dhe Katy u takuan në një after party pas ndarjes së çmimeve Golden Globe në vitin 2016. Një vit më vonë njoftuan se po merrnin një pauzë, por u pajtuan dhe u fejuan në Ditën e Shën Valentinit në vitin 2019.

Foto: Profimedia

Në gusht 2020, ata mirëpritën në jetë vajzën e tyre, Daisy Dove Bloom.

Orlando Bloom së fundmi foli për marrëdhënien e tij me këngëtaren në podcastet “On Purpose” dhe “What Now? with Trevor Noah”. Ai tregoi kur ra në dashuri me të.

“Katy e urren kur e them këtë, prandaj duhet të shprehem me kujdes, por muzika e saj ishte kudo. Luhej në të gjitha stacionet e radios, dhe nuk ishte diçka që unë dëgjoja. Por u dashurova me Katheryn, atë vajzë nga Santa Barbara”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi se ka parë ndryshime tek vetja që kur është me këngëtaren. “Në njëfarë mënyre, marrëdhënia ime është mundësia më e madhe për rritjen time të vazhdueshme dhe e di që të dy e shohim kështu. Pra, kështu rritemi. Katy më mban përgjegjës dhe unë përpiqem të justifikoj këtë”, tha Orlando.

Më parë, ai kishte thënë se Katy është mbështetja më e madhe për të. “Ne mbështesim plotësisht njëri-tjetrin në të gjitha përpjekjet tona. Por nuk mendoj se ajo e kuptoi plotësisht atë që bëja derisa më pa të kthehesha në shtëpi nga puna nën një presion dhe stres të madh”, tha ai. /Telegrafi/